Lajme

Tragjedi në Itali: 41 viktima nga fundosja e anijes me emigrantë në Lampedusa


Një fundosje anijeje në ishullin italian të Lampedusa-s raportohet se ka vrarë 41 individë, njoftuan mediat italiane të mërkurën.

Agjencia italiane e lajmeve ANSA dhe televizioni RAI cituan të mbijetuarit të cilët thanë se anija ishte nisur nga qyteti tunizian Sfax për në Itali.

Katër të mbijetuar u shpëtuan nga një anije malteze dhe u dërguan në Lampedusa nga roja bregdetare italiane dhe raportohet se ishin në gjendje shock-u, sipas autoriteteve.

Të mbijetuarit, tre burra dhe një grua nga Bregu i Fildishtë dhe Guinea, thanë se në bord ishin 45 persona, përfshirë tre fëmijë.

Vetëm 15 persona kishin veshur jelekë sigurie, por ata gjithashtu u mbytën, thanë të mbijetuarit.

Anija thuhet se u nis të enjten e kaluar dhe udhëtoi për rreth gjashtë orë para se të përmbysej nga një valë e madhe.

Sipas autoriteteve italiane, më shumë se 90 mijë persona kanë arritur në brigjet italiane pasi kanë kaluar Detin Mesdhe.

Kjo paraqet një rritje prej më shumë se dyfish në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Ndërsa shumë janë kapur në brigjet e Afrikës së Veriut, shumica e atyre që kalojnë janë marrë nga roja bregdetare italiane ose varkat e bamirësisë që i çojnë në qendrat e pritjes.

Kalimi i Mesdheut është një nga rrugët më të rrezikshme të emigrantëve në botë.

Sipas Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin (IOM), pothuajse 28 mijë njerëz janë zhdukur duke u përpjekur të kalojnë detin që nga viti 2014.

Frontex

Imigrimi i parregullt në Bashkimin Evropian u rrit me një të dhjetën në gjysmën e parë të vitit 2023 krahasuar me vitin e kaluar, tha agjencia kufitare e Bashkimit Evropian, me shumicën e mbërritjeve që vijnë përmes rrugës mesdhetare.

Frontex raportoi 132 mijë e 370 përpjekje për të hyrë në BE jashtë pikave të rregullta kufitare nga fillimi i vitit deri në fund të qershorit, që është 10 për qind më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit 2022, raporton Reuters.

Ata thonë se kalimet nëpër Mesdheun qendror u rritën me më shumë se një të tretën dhe përbënin gjysmën e totalit ndërsa mbërritjet nga Tunizia në Itali u rritën.

Trafiku në të gjitha rrugët e tjera për në BE u reduktua në krahasim me gjysmën e parë të vitit 2022.

Në fillim të muajit korrik, Bashkimi Evropian nënshkroi një marrëveshje me Tunizinë për të frenuar migrimin e parregullt në bllok.

BE-ja ka kërkuar prej kohësh të reduktojë imigracionin e parregullt nga Lindja e Mesme, Afrika dhe Azia.

Kjo, pavarësisht kritikave nga aktivistët e të drejtave të njeriut se mbështet sundimtarët me kredenciale të dobëta demokratike për ta arritur këtë.

Agjencia e BE-së për të drejtat e njeriut tha se do të shqyrtojë marrëveshjen me Tunizinë dhe tashmë po shqyrton nëse Frontex është në përputhje me detyrimet e të drejtave të njeriut, duke përfshirë detyrën për të shpëtuar jetë në det, ndërsa ndihmon në menaxhimin e kufijve të jashtëm të bllokut 27-vendesh.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore