Shqipëria

Trafikonte emigrantë të jashtëligjshëm dhe i iku Policisë, shpallet në kërkim 36-vjeçari


Një person është shpallur në kërkim pasi nuk i është përgjigjur urdhrit të ndalimit policor në një segment rrugor, ku ai është evidentuar duke transportuar emigrantë të jashtëligjshëm.

Menjëherë, shtetasi R.B., 36 vjeç, është shpallur në kërkim dhe po vijohet puna për kapjen e tij.

Në rrugë operative, është bërë e mundur të evidentohet fakti se ai ka qenë duke transportuar nëntë emigrantë të jashtëligjshëm. Tentativa për ndalim është bërë në segmentin rrugor Gjirokastër-Tepelenë, në vendin e quajtur “Ura e Lumit”.

Më pas, shtetasi mendohet se e ka ndaluar mjetin në vendin e quajtur “Virua”, nga ku edhe është arratisur.

Puna për kërkimin e tij vijon ende nga strukturat policore, ndërsa materialet i kanë kaluar Prokurorisë së Gjirokastrës për veprime të mëtejshme.

Sakaq, ky nuk është rasti i parë i ndalimeve të tilla. Ato janë bërë shumë të shpeshta, mbi të gjitha në zonat jugore të vendit, pas kalimeve të jashtëligjshme nga azilantë të vendeve të Lindjes së Mesme.

Rruga ballkanike kryesore për këta emigrantë kalon pikërisht për nga Shqipëria.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore