Kosova

Trafikanti Mujeci në Facebook tregohej patriot i madh: Kritikonte opozitën e mediat për tradhtarë


Foto: Albanian Post

Asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë dhe anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Besnik Mujeci, i cili është arrestuar në Shqipëri pasi është zënë duke transportuar dhe shitur lëndë narkotike nga Kosova në Shqipëri, është tejet aktiv në llogarinë e tij në Facebook, duke akuzuar opozitën dhe mediat se po ia mbajnë anën Serbisë.

Përveç kritikave për mediat dhe opozitën, Mujeci iu thurte lavde figurave kombëtare.

Më 30 korrik ai kishte postuar fotografinë e ish-Komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Tahir Sinani, ku kishte shkruar; “lavdi komandantit, sa shumë na mungon”.

Po ashtu, ai ka shpërndarë edhe fotografi të Komandantit Legjendar të UÇK-së, Adem Jashari, por edhe të tre heronjve të Kosovës: Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka, të cilët ishin vrarë nga shërbimi sekret serb në Gjermani më 17 janar të vitit 1982.

“Ah sa ju kom lakmi dëshmorëve!”, kishte shkruar Mujeci duke shpërndarë një fjalim të heroit Hamëz Jashari.

Përmes statuseve të tij në rrjetet sociale, ai nuk harronte ta tregonte mbështetjen e tij për bashkimin kombëtar.

Në 18 vjetorin e themelimit të partisë së tij, ai kishte shkruar “vetëvendosje deri në bashkimin kombëtar!”.

Përveç postimeve ku përpiqej që të tregonte anën e tij “patriotike”, Mujeci është tejet aktiv edhe në mbrojtje të partisë së tij, Lëvizjes Vetëvendosje, dhe kreut të saj, respektivisht Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Ai kishte reaguar edhe për seancën parlamentare të 13 korrikut, në të cilën kishte pasur përleshje fizike në mes të deputetëve të opozitës dhe kabinetit qeveritar.

Sigurimin, i cili e kishte rrethuar kryeministrin Kurti, pas përplasjes që kishte ndodhur, asamblisti i VV-së i kishte përgëzuar, ndërsa deputetët e opozitës i kishte fyer.

“Zoti i ruajt këta policët e rinj që po na e mbrojnë kryeministrin nga hienat e ndyra”, shkruante ai.

Të hënën Policia e Shqipërisë ka arrestuar asamblistin e Lëvizjes Vetëvendosje, Besnik Mujecin, për shitje dhe trafikim të lëndëve narkotike në Shqipëri dhe doza e sekuestruar nga operacioni policor kap shifrën e 400 mijë eurove.

Ai ishte pjesë e një grupi kriminal që transportonte lëndë narkotike drejt Shqipërisë.

Mujeci përndryshe është i emëruar aksionar në Ndërmarrjen publike ‘Stacioni i Autobusëve’.

Ishte pikërisht autobusi, mjeti me të cilin Mujeci transportonte lëndët narkotike.

Lënda narkotike me të cilën është kapuar Mujeci është ekstazi.

Siç ka treguar policia shqiptare “të arrestuarit janë lokalizuar në kryqëzimin e rrugës ‘Myslym Shyri’ dhe ‘Sami Frashëri’, së bashku me dërgesën me lëndë të dyshuar narkotike, prej 11300 tabletash ekstazi MDMA, me peshë 5.093 kg dhe vlerë tregu rreth 400 mijë euro”.

Në një konferencë për media, policia shqiptare ka tregtuar gjithashtu se “nga hetimet ka rezultuar se këta shtetas duke shfrytëzuar fluksin e sezonit turistik i kalonin dërgesat nëpërmjet linjave te autobusëve Prishtinë-Tiranë. Pasi dërgesat arrinin në Tiranë transportoheshin me auto vetura të marra me qira në Tiranë dhe qytete tjera, kryesisht ne bregdetin e Shqipërisë dhe vendet e shkëmbimit caktoheshin ne vende publike me shumë lëvizje dhe fluks njerëzish. Për arritjen e marrëveshjeve me shpërndarësit e drogave sintetike me Shqipëri trafikantët kërkonin pagesa me para dhënie ose lënien e automjeteve si garanci”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore