Sport

Tottenham i bën ultimatum Kane


Pronari i Tottenham Hotspur, Joe Lewis, raportohet se ka marrë një vendim në lidhje me të ardhmen e yllit të tyre, Harry Kane.

Që kur sezoni 22/23 erdhi në një fund zhgënjyes për Spurs , e ardhmja e Kane ka qenë në qendër të vëmendjes.

Gjatë javëve të fundit, gjigantët gjermanë të Bundesliga-s, Bayern Munich, kanë treguar interes për nënshkrimin e kapitenit të Anglisë.

Është raportuar se klubit bavarez tashmë i janë refuzuar dy oferta dhe po përgatit një ofertë të tretë.

Deri më tani, kryetari i Spurs, Daniel Levy, ka qenë i bindur se Kane nuk do të shitet për asgjë më pak se vlerësimi i tij prej 100 milionë funte.

Megjithatë, sipas raporteve të shumta, pronari i Spurs Lewis i ka thënë tani Levy-t se ai duhet të shesë Kane këtë verë nëse 29-vjeçari refuzon të nënshkruajë një kontratë të re.

Marrëveshja e re e ofruar për Kane besohet të jetë me vlerë rreth 400 mijë funte në javë.

Leëis tani ka vendosur që Kane nuk do të lejohet të përfundojë kontratën e tij aktuale dhe të largohet nga klubi verën e ardhshme me parametra zero.

Skuadra tjetër e Premierligës, Manchester United, ishte gjithashtu e lidhur me Kane, por çmimi i lartë dukej se kishte penguar ndjekjen e “Djajve të Kuq”.

Duke folur së fundmi për të ardhmen e Kane, shoku i skuadrës Son Heung Min tha: “Harry ka qenë fantastik për mua. Ai është gjithmonë profesionist, gjithmonë punon shumë. Ai kurrë nuk ka treguar ndonjë mendim për veten e tij”.

“Ka kaq shumë lajme që po qarkullojnë sa nuk është e lehtë për të. Por ai është kapiten për momentin dhe po punon me ekipin. Ai nuk tregon ndonjë shpërqendrim. Ai nuk shqetësohet. Atij i pëlqen të jetë këtu. E dua atë si lojtar”, kishte thënë Son.

Ai gjithashtu shtoi se nuk di asgjë për vendimin e Kane.

“Nuk mund të them asgjë për vendimin përfundimtar sepse nuk di asgjë. Ndoshta Harry nuk e di. Na mbetet vetëm të presim. Vendimi do të jetë mes klubit dhe Harrit dhe ne duhet ta respektojmë atë”, kishte thënë mes tjerash Son.

Kujtojmë që Kane deri më tani ka luajtur në 435 ndeshje në të gjitha garat me fanellën e klubit londinez, prej të cilave ka shënuar 280 gola dhe ka dhuruar 64 asistime, por pa fituar asnjë trofe.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore