Kosova

Tomë Gashi: S’e di që janë gjetur mostrat e Astrit Deharit


Tomë Gashi

Avokati i familjes Dehari, Tomë Gashi, përmes një postimi në rrjetin e tij social në Facebook, ka thënë se nuk e di nëse janë gjetur mostrat e zhdukura nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, të ish-aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari.

Disa media në Kosovë, gjatë ditës kanë raportuar se një pjesë e mostrave të Deharit, të cilat ishin zhdukur në dhjetor të vitit të kaluar tashmë janë gjetur.

Mediat në Kosovë duke iu referuar një burimi brenda Institutit të Mjekësisë Ligjore, kanë raportuar se mostrat e zhdukura janë kthyer aty ku kanë qenë më herë.

Mostrat, sipas disa mediave kosovare, të cilat janë gjetur janë të lukthit dhe të urinës, kurse ato të gjakut mungojnë.

Megjithatë, avokati Gashi, ka thënë se nuk ka informacione për raportimet e mediave lidhur me rastin e mostrave të Deharit.

“Po thonë u gjeten. Disa gazetarë po më pyesin se a janë gjetur mostrat e Astrit Deharit. Unë po ju them se nuk e di”, ka shkruar Gashi në llogarinë e tij në Facebook ndër të tjera.

Zhdukjen e këtyre mostrave e kishte njoftuar Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Sipas ministres Haxhiu, nga laboratori i toksikologjisë mungonin 12 epruveta me gjak, një e urinë dhe një e lukthit të Deharit.

“Duke pasur parasysh ndjeshmërinë rastit, mbrëmë në orët e vona jam njoftuar që janë zhdukur mostrat e Astrit Deharit, nga laboratori, kam njoftuar ushtruesin e kryeprokurorit Besim Kelmendi. Në rasat e epruveta kanë qenë 15 epruveta me gjakë, një e urinës dhe një epruvetë e lukthit”, ka thënë Haxhiu.

Në vendin ku rruheshin epruvetat, tregonte Haxhiu, kanë qasje vetëm tre persona.

“Unë i di emrat e personave të cilët kanë qasje në këtë institucion në departamentin e laboratorit të toksikologjisë, por unë nuk mund t’i them ato, pasi që tashmë emrat e tyre i di edhe Policia edhe Prokuroria”, deklaronte asokohe Haxhiu.

Zhdukja e mostrave të Astrit Deharit nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, sipas Haxhiut, ishin vërejtur në momentin kur mostrat nga frigoriferët e vjetër janë bartur në frigoriferët e rinj.

“Gjatë bartjes së mostrave, një zyrtar ka vërejtur se mungojnë mostrat me disa kode. Zyrtari ka marr kodet dhe ka kontrolluar se cilat mostra janë në pyetje dhe më pastaj është marr vesh se bëhet fjalë për mostrat e Astrit Deharit. Hera e fundit kur mostrat janë bartur është në tetorin e vitit 2021, pra nga Tetori deri sot, nuk dihet saktë kur janë zhdukur mostrat”.

Kur dhe si pati njoftuar ministrja Haxhiu se janë zhdukur mostrat e Astrit Deharit?

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore