Sport

Tom Brady lë sportin si legjendë e NFL në moshën 44-vjeçare


Ai ka fituar shtatë tituj Super Bowl në 22 sezone karrierë, gjashtë prej të cilave me New England Patriots dhe një me Tampa Bay Bucaneers, por tashmë ka ardhur koha që këpucët t’i varë në gozhdë dhe topin t’ia lërë në dorë dikujt tjetër.

Legjenda e futbollit amerikan, Tom Brady, i jep zyrtarisht lamtumirën sportit në moshën 44-vjeçare, duke ruajtur emërtimin e lojtarit më të mirë të të gjitha kohërave.

Numrin 12, e ka mbajtur gjithnjë në shpinë si personifikim të identitetit të tij.

Tom Brady

Ai nuk erdhi në NFL si një prej më të mirëve. Madje, u radhit ndër ata më të dobëtit, duke u përzgjedhur vetëm në raundin e gjashtë të draftit.

Mirëpo, ajo çfarë pasoi më tej, ishte thjesht histori.

Për 15 nga 22 sezonit, Brady u zgjodh në “Pro Bowl” (ndeshjen e më të mirëve në fundvit”.

Tre herë ai ishte pjesëtar i ekipit më të mirë në NFL. Po aq herë, u shpall edhe si lojtari më i mirë në ligë.

Tom Brady

Me fitoren e shtatë titujve Super Bowl, Brady është edhe lojtari më i titulluar në histori.

Lider i padiskutueshëm në pasime, touchdown-e dhe fitore në tërësi nga një lojtar në rolin e quarterback-ut.

Pavarësisht se yll i një sporti më së shumti të ndjekur në SHBA, Brady ishte ikonë e tij, i njohur në të gjithë botën.

Madje, ishte pikërisht imazhi i tij, ai i cili reflektonte NFL-në jashtë SHBA-ve dhe bëri shumë shikues të binin në dashuri me sportin amerikan.

Një largim i Brady-t ishte i pritshëm për shkak të moshës. Por ai sërish mbeti në majat e karrierës, pavarësisht saj.

Ndeshja e fundit, është ajo e para një jave kundrejt Los Angeles Rams, ku Bucaneers-at u mundën ngushtësisht dhe i dhanë fund rrugës së tyre në playoff.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore