Lajme

Tjetër vendim i kundërligjshëm: Gjykata Komerciale e detyron MINT-in t’ia kompensojë mbi 1 milion euro një kompanie


Gjykata Komerciale

Gjykata Komerciale e Kosovës ka obliguar Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) që kompanisë KPU “Inspect” t’ia kompensojë mbi 1 milion euro, për shkak se ministria që drejtohet nga Rozeta Hajdari ia kishte refuzuar autorizimin për inspektimin e karburanteve të naftës.

Vendimi i MINT-it ishte i kundërligjshëm dhe përbënte shkelje të dispozitave procedurale, vërtetim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, ka konstatuar Gjykata Komerciale, andaj ka ardhur në përfundim se palës paditëse i është shkaktuar fitim i humbur dhe të njëjtës i takon shpërblimi për fitimin e humbur.

“Gjykata në arsyetimin e aktgjykimit të saj e ka vërtetuar se nuk qëndron asnjëri nga pretendimet e të paditurës se gjoja palës paditëse i mungonte çmimorja e shërbimeve dhe garancioni bankar në vlerën prej 20 mijë euro”, thuhet në vendimin e gjykatës, transmeton “Betimi për Drejtësi“.

Gjithashtu, gjykata përmes aktvendimit ka obliguar të paditurën që palës paditëse t’ia kompensojë shpenzimet e procedurës në lartësinë prej 9 mijë e 350 euro, të gjitha këto shuma në afat prej 7 ditësh nga dita e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi nën kërcënimin e përmbarimit të dhunshëm.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore