Sport

Tirana, Vllaznia dhe Egnatia kërkojnë lavdinë evropiane


Xhiroja e parë e kualifikimeve në Ligën e Konferencës do të fillojë sot (e enjte, 13 korrik).

Tri ekipe shqiptare do të marrin pjesë në këtë fazë: Tirana, Vllaznia dhe Egnatia.

Tirana do të luajë në shtëpi ndeshjen e parë, ndërsa Vllaznia dhe Egnatia do të luajnë në udhëtim.

Bardheblutë do ta presin në “Air Albania” ekipin nga Gjeorgjia, Dinamo Batumi. Kundërshtari i kryeqytetasve është një ekip që vazhdimisht ka nxjerrë talentë, si rasti i talentit të Napolit, Khvicha Kvaratskhelia.

Megjithatë, Tirana do të kërkojë të marrë një rezultat pozitiv në këtë ndeshje, për të tentuar kalimin në raundin tjetër.

Shkodranët do të ballafaqohen me ekipin nga Irlanda e Veriut, Linfield, ndeshje kjo që do të zhvillohet në “Windsor Park” të Belfastit.

Pavarësisht largimeve të emrave me peshë, si Gurishta, Latifi, Jonuzi e të tjerë, në skuadër nuk mungojnë senatorët me aftësi teknike, këmbë të mira dhe eksperiencën për të nxjerrë si duhet një ndeshje evropiane, duke nisur nga Bekim Balaj, Esat Mala, Esin Hakaj.

Në anën tjetër irlandezët nuk janë kundërshtar i lehtë, si një ndër dy skuadrat më të suksesshme në Irlandën e Veriut që luan rregullisht në Evropë.

Ndeshja mes Linfield dhe Vllaznisë do të zhvillohet me fillim nga ora 20:45.

Në ndeshjen tjetër, Egnatia do të luajë për herë të parë në histroi një ndeshje kualifikuese evropiane.

Ata do të luajnë në udhëtim tek ekipi armen, Ararat-Armenia, ndeshje kjo që do të zhvillohet në ora 17:00.

Vendasit shihen favoritë në këtë takim, megjithatë Egnatia do të synojnë një rezultat pozitiv për ndeshjen e kthimit që do të zhvillohet pas një jave.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore