Shqipëria

Tirana manifeston për Ukrainën


Një manifestim në formën e marshimit të heshtur ka marrë jetë prej mesditës në Tiranë, ku pjesëmarrës të shumtë, mes të cilëve edhe aktorë politikë, janë bashkuar.

Me në qendër ambasadorin e Ukrainës në Shqipëri, Volodymyr Shkurov, mbështetësit e kauzës së Ukrainës u nisën nga sheshi “Skënderbej” dhe vijuan rrugëtimin përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”.

Ecejakes i është bashkuar edhe kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, dhe ambasadorja e SHBA-ve në Shqipëri, Yuri Kim.

Një flamur i madh me ngjyrën e Ukrainës është shpalosur nga marshuesit.

Nga ana tjetër, nuk ka munguar as paralelizmi mes luftës së Kosovës dhe asaj në Ukrainë, nëpërmjet pankartave.

Kryetari i Bashkisë së Kievit, Vitali Klitschko, pavarësisht faktit se vendi i tij gjendet në një çast të vështirë të luftës, nën agresionin e vazhdueshëm rus, ka gjetur kohën për të dërguar një videomesazh për Tiranën dhe gjithë shqiptarët, në shenjë falënderimi për mbështetjen ndaj kauzës së Ukrainës.

“Të dashur shqiptarë, e vlerësojmë dhe ju falënderojmë shumë për ndihmën dhe mbështetjen tuaj. Ne po shikojmë se kush janë miqtë e Ukrainës dhe nuk do t’i harrojmë kurrë”, tha Klitschko thuajse i përlotur në video.

Ai vijoi, duke thënë se po kërkojnë ta ndalojnë luftën e pakuptimtë nga ana e Rusisë, ku edhe shprehu vendosmërinë për të mbrojtur vendin.

“E çmojmë shumë ndihmën tuaj dhe shumë të fala nga Kievi!”, përmbylli Klitschko.

Një fjalë e mbajti edhe ambasadori i Ukrainës, i cili theksoi falënderimin e kombit ukrainas ndaj Shqipërisë.

Po ashtu, ai nuk ngurroi të përmendte masakrat si ajo në Bucha apo Mariupol, të cilat e tregojnë qartësisht sesi është cenuar jeta dhe dinjiteti i popullsisë në Ukrainë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore