Shqipëria

TikTok, bien këmbanat e alarmit për adoleshentët


Aplikacioni TikTok është bërë trendy më i populluar tek të rinjtë. Shumica e kompanive të rrjeteve sociale kanë bërë përpjekje për vëmendjen e përdoruesve të rinj.

Psikologia Lorela Garuli, në një intervistë me gazetaren e Albanian Post, tregon se ekzistojnë dy arsye që TikTok-u u rrit ndjeshëm. Kjo lidhet me lehtësinë me anë të së cilës një përdorues mund të postojë, ose thjeshtë të shikojë, edhe pa pasur një profil tek i cili mund të bëj login.

Arsyeja tjetër ka të bëjë në mënyrë direkte me karantinën, për faktin që të gjithë duhet të kalonim më shumë kohë online.

Garuli i mëshon faktit që TikTok-u ndryshe nga rrjetet e tjera sociale që ne përdorim ka një lehtësi të madhe në politikat e privatësisë.

“Të rinjtë në këtë aplikacion i bashkon fakti që ka mundësi të lehtë përdorimi, argëtimi; është shumë lehtësues fakti që mund të shikosh video për të qeshur apo edhe  video të tjera, koreografitë. Pra ka një pjesë të madhe dhe të asaj çka në anglisht quhet “challenge” (sfidave) që nxisin sensin e garës, lojës me njëri- tjetrin”.

Efektet nga TIkTok-u

Psikologia shpjegon disa nga efektet anësore në shëndetin mendor që sjell varësia ndaj TikTok-ut. Një ndër problemet është rënia pre e gjahtarëve seksualë.

“Ka efekte negative tek menaxhimi i të dhënave. Nga një sërë studimesh apo evidencash, del në pah lehtësia me anë të së cilës predatorët, gjahtarët seksualë apo personat që i gjurmojnë elementë të tillë, e kanë shumë të lehtë të marrin të dhënat e adoleshentëve”.

Nxitja e elementëve të perfeksionalizmit dhe ekspozimi i bukurisë joreale, sipas saj krijon frustrim dhe nxit gjuhën e urrejtjes tek adoleshentët.

“Teorikisht Tik Tok mund të përdoret nga mosha 13 vjeçe e lart, por ky është një kriter që nuk respektohet. TikTok-u ka një përcjellje shumë sipërfaqësore të të dhënave  përsa i përket pamjes dhe imazhit. Nxit perceptime joreale  të bukurisë dhe pamjes së jashtme, elementët e perfeksionalizmit. Tiktokersat që kanë më shumë ndjekës dhe janë bërë më viral nuk kanë gjë tjetër sesa ekspozim dhe promovim të pamjes tyre të jashtme”.

Psikologia gjithashtu shprehet se këto elemente shkaktojnë nxitje negative të imazhit dhe ndjenja pakënaqësie me trupin e tyre.

“Ekziston ideja e paqartë, e pasaktë në pjesën e perfeksionizmit dhe sigurisht që kjo nuk kalon  pa komente negative, gjuhë të urrejtjes, pjesë të sharjeve dhe cyber bullizmit (bullizmi në rrjet). Hapat ekstreme, për fat të keq që shkojnë dhe në humbje jete, vijnë nga gjuha urrejtjes dhe komentet negative”.

Roli i prindërve

Si përfundim rol të veçantë në menaxhimin e këtyre faktorëve sipas tyre është roli i familjarëve, në një qëndrim informues dhe jo strikt.

“Prindërit duhet të kenë rol informues, menaxhues dhe më shumë sesa të vendosin raporte strikte për këtë gjë duhet t’i informojnë, të ju flasin fëmijëve për gjitha efektet. Të moderohet koha që kalohet përpara këtyre rrjeteve sociale, t’ju shpjegohet fëmijëve dhe adoleshentëve rreziqet  e mundshme”.

Arsyet e përdorimit sipas adoleshentëve

Deni Doku, influencuesja në TikTok, tha se aplikacioni të jep kënaqësi qoftë duke bërë vetë video apo qoftë duke parë video të tjerëve, ndërsa efekt negativ ka në menaxhimin e kohës.

Ndërsa Amara dhe Mira, vajzat 12 vjeçare që e përdorin TikTok-un janë shprehur se e përdorin për argëtim, pasi shohin kërcimet, këngët, trendet, si dhe mundësi për gjetjen e shokëve të rinj.

Të dyja vajzat theksojnë se në fillim prindërit e tyre kanë qenë skeptik në përdorimin e aplikacionit.

“Prindërit e mi në fillim e kishin pak problem sepse unë kudo që shkoja bëja video dhe njerëzit më shikonin me habi, por më vonë më mbështetën dhe nuk e kishin problem”, u shpreh Amara.

Ndërsa Mira tha se “prindërit e saj në fillim nuk ishin dakord, me mendimin se përdorimi do të krijonte varësi nga aplikacioni”.

Aplikacionet e ndryshme kanë krijuar varësi tek shumë shtresa. TikTok-u, në rastin konkret, po cakton sjellje kolektive globale, falë influencës që ka tek adoleshentët.

Nga njëra anë, është krijuar një rrjet i tërë ndërveprimi midis tyre, gjë që është beneficiale në vetvete. Por për gjithçka është lartpërmendur, TikTok-u mbetet shqetësues nëse merret më seriozisht seç duhet. Pikërisht për këto raste, po bien këmbanat e alarmit, për rrezikun që mund të shkaktojë.

 

 

 

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore