
Marcus Thuram është një nga futbollistët më të talentuar në Evropë. Biri legjendës franceze, Lilian Thuram, aktualisht luan për skuadrën gjermane, Borussia Monchengladbach.
Marcus është duke e luajtur sezonin e fundit me skuadrën e tij gjerman, pasi që në verë do t’i skadojë kontrata dhe do të largohet si transferim i lirë.
Në këtë mënyrë, shumë klube të mëdha evropiane janë vënë në garë për mesfushorin ofensivë, ndërkohë që babai i tij, i mirënjohuri Lilian Thuram, zbulon edhe ëndrrën e madhe të djalit të tij.
“Natyrisht që si çdo prind edhe unë dua më të mirën për fëmijët e mi. Për Marcus do të ishte një ëndërr të luante me Barcelonën”, tha legjenda franceze.
“Katalanasit gradualisht po kthehen sërish një skuadër e madhe, do të ishte diçka e bukur nëse Marcus do të luante në Camp Nou”, u shpreh ish-mbrojtësi francez.
Kujtojmë që mes sezoneve 2006 deri më 2008, Lilian Thuram ishte pjesë e Barcelonës. Përveç tyre, ai luajti edhe për Juventus-in, Parma-n dhe Monaco-n.
Thuram gjithashtu numëron edhe 142 paraqitje me kombëtaren e Francës, ku ka arritur ta fitojë nga një herë Kupën e Botës dhe Kampionatin Evropian.
Sa i përket Marcus-it, ai është pjesë e Monchengladbach që nga vera e vitit 2019 kur u transferua nga skuadra franceze, Guingamp, për shumën e 9 milionë eurove.
Deri më tani, 25-vjeçari ka luajtur 120 ndeshje me fanellën e klubit gjerman, prej të cilave ka shënuar 41 gola dhe ka dhuruar 26 asistime.
Thuram ishte së fundmi edhe pjesë e kombëtares së Francës në Kupën e Botës në Katar, i cili pati paraqitje shumë të mira.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com