Shqipëria

Threads-i nuk ‘përputhet’ me shqiptarët


Bujë e madhe për të supozuarin “vrasës të Twitter-it”, globalisht.

Kurse në Shqipëri, vrulli për të ndjekur trendin u shua ende pa u ndezur.

Diçka s’shkon. Dhe, në këtë drejtim, mund të ketë një pafundësi hipotezash.

Një prej tyre mund të jetë pamundësia për t’u përshtatur me pëlqimet e përdoruesve, mbi mënyrën se si ata duan të angazhohen në një platformë të mediave sociale.

Me fjalë të tjera, nuk përputhet.

Përpos mungesës së dëshirës për t’u bërë pjesë e komunitetit të Threads-it, mund të jetë edhe ‘përtacia’ për të shkruar.

TikTok-u, në të kundërt, është i pamposhtshëm. Mijëra video ngarkohen përditë pa përtesë, edhe pse tejkalohen limitet dhe është bërë bazë e gjuhës së urrejtjes.

Megjithatë, ka edhe nga ata të rinj shqiptarë që nuk kanë hezituar të hapin një llogari në Threads, qoftë ehe për të parë se si funksionon.

Specialistja e komunikimit, Iris Bozgo, ka ndarë me Albanian Post përvojën e saj në Threads.

Pasi pa disa Story në Instagram të miqve të saj që kishin postuar threads-at e tyre, kurioziteti e shtyu ta provonte.

Por nuk ishte vetëm kurioziteti.

“Ishte edhe lehtësia që mund ta aksesoja me llogarinë time të Instagram-it pa mu dashur të hap një llogari tjetër ekstra”, tregon ajo.

Në optikën e saj, Threads-i është shumë i ngjashëm me Twitter-in, mbi mënyrën se si funksionon.

“Threads-it po i jap një shans nga kurioziteti, por skam qenë shumë aktive, ndryshe nga llogaria ime në Instagram ku ndërveproj çdo ditë”, thotë ajo.

“Në Threads mund të hyj një ose dy herë në ditë dhe jo për aq gjatë sa në Instagram”.

Bozgo mendon se një nga avantazhet e Threads-it është mundësia për të qenë pjesë e platformës pa hapur një llogari ekstra.

“Është shumë lehtë i aksesueshëm nëpërmjet Instagram-it”, dallon ajo.

Threads, sipas saj, është i përsosur për njerëzit që duan të ndajnë momentet e tyre të përditshme me miqtë e tyre, mendimet e momentit apo eksperiencat.

“Ka një liri ndryshe nga Instagram-i dhe gjithashtu mund të përfshihesh në biseda të ndryshme publike”, rendit ajo si pluse të platformës së re.

Lidhur me minuset, ajo thotë se “nuk mund te flas shumë pasi akoma nuk e kam eksploruar mjaftueshëm sa të vë re diçka që s’shkon, por ndoshta mund të them se është një aplikacion më shumë për të marrë kohë nga dita e njerëzve”.

Sakaq, Bozgo e cilëson të vështirë rrugëtimin e Threads-it në terrenin shqiptar. Dhe ka një arsye për këtë.

“Duke qenë se Threads-i është një platformë shumë e ngjashme me Twitter-in, dhe Twitter-i në Shqipëri nuk është një nga platformat më popullore për masën, mendoj se dhe Threads-i në vizionin afatgjatë do ta ketë të vështirë ta mbaj masën të mbërthyer”, veçon ajo.

Megjithatë, specialistja gjykon se meqë platforma është pjesë e Instagram-it dhe opsioneve që i lidhin të dy bashkë, “mund t’ia dali t’i rezistoj tregut”.

Çfarë është Threads-i dhe si funksionon?

Pas muajsh spekulimesh, aplikacioni i përfolur prej kohësh i Mark Zuckerberg tanimë jo vetëm që ka mbërritur, por është bërë aplikacioni i komunikimit në masë, i cili ka arritur të mbledhë më shpejt 100 milionë përdorues.

Threads, u zbulua si një shoqërues i Instagram-it, që kompania Meta e Zuckerberg-ut bleu më shumë se një dekadë më parë.

Por pritet që aplikacioni i ri të zëvendësojë rivalin Twitter, ndaj i referohen shumë si “vrasës i Twitter-it”.

Sakaq, Threads rrit edhe rivalitetin midis Zuckerberg-ut dhe Elon Musk-ut, i cili bleu Twitter-in vitin e kaluar.

Musk ka ndryshuar përvojën e Twitter-it duke ndërhyrë me algoritmin e tij dhe veçoritë e tjera.

Së fundmi ka vendosur kufizime të përkohshme në numrin e tweet-eve që njerëzit mund të lexojnë kur përdorin aplikacionin, duke nxitur zemërim.

Ndërkohë, një sërë kompanish të teknologjisë janë përpjekur të përfitojnë nga trazirat e Twitter-it në muajt e fundit.

Por Threads ka një nisje të mirë, të mbështetur nga xhepat e thellë të Meta-s dhe baza e madhe e përdoruesve të Instagram-it prej më shumë se dy miliardë përdorues aktivë mujorë në mbarë botën.

Krijuar nga Instagram-i, Threads pozicionohet si një aplikacion ku njerëzit mund të kenë biseda publike në kohë reale me njëri-tjetrin.

Gjithashtu ndihmon në rritjen e Instagram-it, i cili është një aplikacion në familjen e produkteve Meta.

Ata që janë të interesuar të regjistrohen në aplikacionin e ri duhet të kenë një llogari në Instagram.

Dhe njerëzit do të jenë në gjendje të importojnë drejtpërdrejt listën e atyre që ndjekin në Instagram në Threads nëse dëshirojnë.

Përdoruesit e verifikuar të Instagram-it do të verifikohen gjithashtu në aplikacionin e ri. Përdoruesit mund të vendosin që llogaria e tyre Threads të jetë private ose publike.

Threads kundrejt Twitter-it

Threads duket thuajse identik me Twitter-in në shumë mënyra.

Përdoruesit mund të postojnë kryesisht mesazhe të bazuara në tekst, ku njerëzit që i ndjekin dhe që ndjekin mund të përgjigjen.

Njerëzit gjithashtu mund të postojnë foto ose video në aplikacion.

Por Threads është gjithashtu i ndryshëm nga Twitter-i.

Aktualisht nuk mbështet mesazhe direkte, një veçori që ofron Twitter-i.

Sakaq, Instagram-i ka thënë se mund të shtojë veçori në Threads nëse përdoruesit e rinj i kërkojnë ato.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore