Lajme

Thesari sekret i Putin-it dhe lindja e “njësisë” në Londër për ta gjetur atë


Ka filluar gjuetia për thesarin e fshehtë të Putin-it: qeveria e Londrës ka ngritur një “celulë të veçantë për kleptokracinë” me detyrën e identifikimit të pasurive të fshehura në Britaninë e Madhe nga diktatori rus, të cilat vlerësohen të arrijnë në miliona paund.

Njësia e hetimit, e cila është pjesë e Agjencisë Kombëtare të Krimit, do të punojë krah për krah me shërbimet sekrete të Madhërisë së Saj për të kuptuar nëse lideri i Kremlin-it është pronari i vërtetë, siç dyshohet, i shumë sendeve që mbahen në emër të oligarkëve rusë.

“Ka njerëz që po punojnë për këtë tani”, ka thënë një burim për britaniken “The Telegraph”.

“Kjo është ajo që do të bëjë ekipi i kleptokracisë: njësia do të duhet të gjurmojë paratë e Putin-it dhe bashkëpunëtorëve të tij”.

Në fillim të luftës në Ukrainë, Boris Johnson njoftoi krijimin e “një njësie për të luftuar kleptokracinë” për të kapur “asetet e ardhura si frut i korrupsionit të fshehura në MB”.

Lideri rus është nën sanksione në Londër, që do të thotë se çdo pasuri e identifikuar si e tij do të ngrihej menjëherë. Por opozita laburiste kërkon të shkojë më tej: ish-zëvendësministri për Evropën, Chris Bryant, tha në Parlament se qeveria “duhet të fillojë të konfiskojë pronat në vend që thjesht t’i ngrijë ato”.

Zyrtarisht, presidenti rus është thjesht një shërbëtor modest i shtetit, i cili jeton me një pagë prej rreth 85 mijë euro në vit. Por ka nga ata që pretendojnë se ai është në fakt njeriu më i pasur në botë, me një pasuri prej 200 miliardë dollarësh.

Nuk mund të shpjegohet ndryshe, për shembull, ndërtimi i vilës përrallore në Detin e Zi, ekzistenca e së cilës u zbulua vitin e kaluar nga disidenti Alexey Navalny: një pallat që kushton mbi një miliard, i pajisur me një heliport, një fushë hokej nëntokësore, një amfiteatër dhe ruhej nga afër nga njerëzit e shërbimeve të tij të sigurisë.

Në letra ndërtesa, e projektuar nga arkitekti italian Lanfranco Cirillo, është në pronësi të oligarkut Arkadij Rotenberg, por ky është vetëm për të fshehur emrin e Putin-it.

Me shumë gjasë, e njëjta gjë mund të thuhet për shumë prona në Londër.

Gazetarja britanike Catherine Belton, në librin e saj “Njerëzit e Putin-it”, akuzoi Roman Abramovich se kishte blerë ekipin e futbollit Chelsea me urdhër të drejtpërdrejtë të presidentit rus.

Oligarku e paditi dhe e fitoi gjyqin, por dyshimi mbetet se, në shumë raste, oligarkët e Moskës janë vetëm “mbajtësit” e pronave, përfituesit përfundimtarë të të cilëve janë zotërinjtë e Kremlin-it.

Në të kaluarën, është thënë shumë për “Gunvor-in” misterioz, kompaninë e naftës me bazë në Qipro, e krijuar nga Gennady Timchenko, oligarku i lidhur ngushtë me Putin-in, me të cilin ai ka ka të njëjtin pasion për hokejin.

“Gunvor” thuhet të jetë kasaforta e Putin-it, por të provosh diçka të tillë ka qenë dhe është gjithmonë jashtëzakonisht e vështirë. Tani do të jetë detyra e “njesisë së kleptokracisë” londineze.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore