Kosova

The Times: Diplomatët thonë se Kurti po do të jetë Zelensky i ri


Ilustrim

E përdtishmja britanike “The Times” i ka kushtuar një artikull ngjarjeve përplot me tensione në pjesën veriore të Kosovës, për të cilin me pak fjalë ka kontribuar personalisht edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili portretizohet në një mënyrë jo fort të këndshme.

“Kryeministri i Kosovës e ka dukjen e një nxënësi të shkollës që është lënduar sepse ka menduar që ka bërë gjithçka mirë për t’u përshtatur e megjithatë e kupton se askush nuk e do”, fillon artikulli i “The Times” me titull: “S’do t’i kënaq miqtë e Putinit, thotë kryeministri i Kosovës”.

Megjithatë, autori i artikullit Richard Spencer, shkruan se diplomatët perëndimorë thonë se kryeministri Kurti po do të jetë si presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, i cili për më tepër, u ngrit në pushtet “me biletën e anti-korrupsionit”.

“Diplomatët sugjerojnë se Kurti (48 vjeç) i cili mori pushtetin me një biletë kundër korrupsionit, po përpiqet të tregojë veten si një Zelensky i ri. Ata thonë se Kosova është shumë e ndryshme nga Ukraina, enklava serbe më shumë si Irlanda e Veriut sesa Donbasi”, thuhet në artikull.

“T’u kërkosh serbëve atje të harrojnë Beogradin është si t’u kërkosh katolikëve të Irlandës së Veriut të harrojnë Dublinin. Kurti e mohon forcën e ndjenjës në veri, thonë ata, dhe duke i denoncuar bandat që sulmuan zyrat komunale si ‘milici fashiste’, po i fut në krahët e tyre serbët e zakonshëm”, vijon artikulli.

Ndër të tjera, gazetari përshkruan zhvillimet në veri të Kosovës dhe mbi të gjitha veprimet e kryeministrit Kurti, i cili, sipas tij, i ka bërë të gjithë emisarët perëndimorë të “shpërthejnë” duke e quajtur kreun e ekzekutivit kosovar “të papërgjegjshëm” dhe privatisht edhe më keq.

Komuniteti ndërkombëtar ka paralajmëruar pasoja për Kosovën, pas përplasjes së serbëve të veriut me policinë, e cila të premten e 26 majit, me vendim të kryeministrit Kurti, realizoi aksionin për t’ua mundësuar qasjen në zyra kryetarëve të rinj në Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan.

Megjithatë, artikulli tregon se si kryeministri Kurti edhe pas qortimeve nga Perëndimi nuk është “penduar” për veprimet e tij të njëanshme, por i ka thënë prestigjiozes britanike se “na duhet ndihma e SHBA-ve, Mbretërisë së Bashkuar dhe BE-së”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore