Gjykata Speciale

Thaçit e Veselit u vazhdohet paraburgimi


Ilustrim

Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë të Holandës ua vazhduan masën e paraburgimit ish-eprorëve të Ushtrisë Çlirimitare të Kosovës (UÇK) – Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli – ndërsa trupi gjykues konstatoi se ekziston rreziku i pengimit të procesit gjyqësor.

“Më 15 prill 2024, trupi gjykues, në vendime më vete për secilin, vazhdoi paraburgimin për Veselin dhe Thaçin, dhe konstatoi se vazhdon të ekzistojë rreziku se do të pengojnë procesin dhe do të kryejnë vepra penale të tjera”, tha zëdhënësi i DHSK-së, Michael Doyle, të enjten në konferencë.

Ndërkaq, sa i takon vendimit për vazhdimin e paraburgimit për ish-luftëtarin e UÇK-së, Ismet Bahtijari, gjyqtari i procedurës paraprake konstatoi se paraburgimi vazhdon të jetë i arsyeshëm për shkak të ekzistimit të rrezikut për të penguar ecurinë e procesit dhe për të kryer vepra të tjera penale.

“Bahtijari do të kishte motivin, mjetet dhe mundësinë për t’i bërë trysni dëshmitarit 1 që të mos marrë pjesë në proces, apo të manipulojë provat. Gjithashtu, gjyqtari i procedurës paraprake konstatoi se paraburgimi i Bahtijarit vazhdon të jetë i arsyeshëm dhe proporcional”, shtoi Doyle.

Ndryshe, ish-presidenti i Kosovës dhe ish-kryeparlamentari kosovar akuzohen nga e Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) për vrasje të pretenduara, torturë e trajtim mizor në periudhën midis viteve 1998–1999, ndërsa procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së nisi më 3 prill 2023.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore