Gjykata Speciale

Thaçi dhe Veseli u arrestuan pas deklaratës së rreme të Sahitajt në Hagë


Halit Sahitaj kishte fabrikuar një ngjarje që konsiderohet se Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit për dy vjet e gjysmë u ka kushtuar me mbajtje në paraburgim në Hagë.

Një njeri si Sahitaj, dosja e të cilit përshkruhet si e mbushur me mashtrime dhe shantazhe, i përfolur për lidhjet e tij me Rusinë dhe Serbinë, i ndjekur nga drejtësia vendase dhe ndërkombëtare, pretendohet t’i ketë shërbyer si aset Prokurorisë së Specializuar në Hagë.

Një dokumetar i transmetuar në Opinon/TV Klan dhe Albanian Post-Tiranë, i titulluar “Manipulimi Special”, ka zbuluar skandalin që ka të bëjë me një manipulim kundër krerëve të UÇK-së – të cilët po përballen një në proces gjyqësor me akuza për krimet e pretenduara të luftës në Kosovë gjatë vitit 1998-1999.

Janë tre muaj brenda vitit 2020, që mbrojtja e të akuzuarve në Hagë kontekstualizon këtë histori të pabesueshme. Janë tre muaj brenda të cilëve rrufeshëm ndodhin ngjarje që ngrenë pikëpyetje të mëdha për mënyrën e funksionimit të Gjykatës Speciale.

Në shtator, në zyrat e veteranëve të luftës në Prishtinë nga persona të panjohur kishin arritur dokumente të Prokurorisë së Specializuar dhe ishin zbuluar nga Hysni Gucati e Nasim Haradinaj.

Më pas, Halit Sahitaj shkoi në Hagë me pretendimet se Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli ishin prapa rrjedhjes së këtyre dokumenteve.

Në nëntor, Thaçi dhe Veseli u arrestuan dhe u transferuan në Hagë.

Vetëm një muaj më vonë, më 7 dhjetor 2020, në një prezantim përpara Ambasadorëve të Bashkimit Europian, ish Prokurori Jack Smith kishte shprehur bindjen se krerët e veteranëve kishin vepruar në koordinim me Thaçin dhe Veselin.

Ekipet mbrojtëse në Hagë kanë deklaruar se ky skandal – ku një “ndërmjetësues” i Zyrës së Prokurorit të Specializuar, i lidhur me Shërbimin Sekret Serb, ka udhëzuar një dëshmitar që të gënjejë, në deklaratat e të cilit Prokuroria e Specializuar është mbështetur dhe i ka përsëritur publikisht në dëm të të akuzuarve, është katastrofike për integritetin e rastit të Prokurorisë kundër krerëve të UÇK-së.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore