Pajisje

Texas/ Lehtësime të taksës së pronës për Samsung-un për të ndërtuar një fabrikë çipash


Në Texas, qyteti i Taylor-it, një nga dy vendet në shqyrtim nga Samsung Electronics për një fabrikë çipash prej 17 miliardë dollarësh, planifikon të ofrojë zbritje të mëdha të taksës së pronës nëse zgjidhet nga kompania teknologjike koreano-jugore.

Agjencia e lajmeve, “Reuters”, tregon se Taylor-i po konkurron me Austin-in, kjo për të mirëpritur fabrikën, e cila pritet të krijojë afro 1 mijë e 800 vende të reja pune.

Nga ana tjetër, Samsung-u ka zbuluar se po shqyrton edhe vende të tjera të mundshme në Arizona dhe New York.

Një rezolutë e propozuar e postuar në faqen e internetit të qytetit tregon se për tokën që Samsung-u do të përdorë, do të ofrohet një grant ekuivalent me 92.5 për qind të taksës së vlerësuar të pronës për 10 vjet, 90 për qind për 10 vitet e ardhshme dhe më pas 85 për qind në 10 vitet vijues.

Por ka edhe masa të tjera, të cilat përfshijnë një heqje taksash prej 92.5 për qind mbi pronën e re të ndërtuar në vend për 10 vjet dhe shlyerjen e kostove të zhvillimit.

Pritet që rezoluta e propozuar të shqyrtohet të mërkurën e 8 shtatorit nga Këshilli i Qytetit në Taylor dhe Komisionerët e Qarkut Williamson.

Lidhur me vendin në Taylor, ai ndodhet rreth 40 kilometra larg nga Austin-i. Ka një madhësi rreth 1 mijë e 187 hektarë çka është shumë më e madhe se sa vendi i Austin-it.

Vitin e kaluar, Samsung-u bleu më shumë se 250 hektarë në Austin, i cili është përveç 350 hektarëve që ai zotëron dhe përfshin fabrikën e tij të vetme të çipave në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Nëse kompania teknologjike vendos për Taylor-in, ai planifikon të hapë terrenin në tremujorin e parë të vitit të ardhshëm me prodhimin që do të vazhdojë deri në fund të vitit 2024.

Kjo sipas një dokumenti të paraqitur më parë tek zyrtarët e shtetit të Texas-it.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore