Përballje

Teuta merr fitoren e parë në këtë sezon, mposht me përmbysje Egnatian


Teuta ka shënuar fitoren e parë të këtij sezoni në Abissnet Superiore, duke triumfuar në udhëtim te Egnatia me rezultat 1:2.

Ky ishte suksesi i parë i “djemve të detit” në këtë sezon, të cilët në shtatë ndeshjet e mëparshme, kishin regjistruar katër barazime dhe tre humbje.

Pjesa e parë nuk prodhoi gola, ndërsa fraksioni i dytë i takimit ishte shumë i bukur.

Të parët kaluan në avantazh vendasit me anë të Dzon Delarge në minutën e 64-të. Sulmuesi kongolez mori një asistim nga Emiliano Musta, kontrolloi bukur topin dhe e dërgoi atë në rrjetë me një goditje të saktë.

11 minuta para fundit të ndeshjes erdhi reagimi i Teutës, të cilët barazuan rezultatin me anë të Blerim Kotobellit, i cili shënoi njo gol shumë të bukur.

Me këtë gol, mysafirët morën zemër dhe në minutën e shtatë shtesë realizuan edhe golin e fitores.

Qendërmbrojtësi Artan Jazxhi shënoi me kokë pas një goditje këndi, duke i dhuruar fitoren e parë teknikut Bledi Shkëmbi dhe skuadrës së tij.

Thyhet pas pesë javësh Egnatia, që regjistroi disfatën e tretë sezonale, ndërkohë që Teuta mori një fitore të artë në udhëtim.

Ekipi i Bledi Shkëmbit është ngjitur në kuotën e shtatë pikëve, duke u renditur përkohësisht në vend të parafundit, dy më pak se Egnatia, që mbetet në shifrën e nëntë pikëve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore