Shqipëria

Tetë orë (në) punë


“Në kulturën tonë tradicionale, burri është ai që ‘i vë shpatullat’ ekonomisë familjare, duke kërkuar sektorë me më shumë të ardhura”.

Kështu shprehet sociologia Entela Binjaku për Albanian Post sa i përket faktit që gratë në Shqipëri, priren më shumë për të punuar në administratën shtetërore sesa në sektorin privat.

Ky fakt bazohet në statistikën e Departamentit të Administratës Publike (DAP), sipas së cilës nga 68 emërime për muajin korrik, 57% prej tyre i përkasin gjinisë femërore, kundrejt 43%-shit meshkuj.

Nisur nga këto të dhëna, Binjaku thotë se “në administratën shtetërore gjinia mashkullore gjendet më shumë në funksionet drejtuese, të cilat janë edhe më të pakta në numër”.

Një tjetër faktor, sipas saj, janë kualifikimet arsimore nga DAP-i, të cilat përkojnë më shumë me nivelin e arsimimit të grave.

Një arsye tjetër ka të bëjë me emigrimin në rritje të gjinisë mashkullore, angazhimin e tyre në sipërmarrje apo sektorin privat.

Pse gratë preferojnë të punojnë në administratë?  

Kësaj pyetjeje Binjaku i përgjigjet se ka lidhje me mentalitetin e shoqërisë.

“Puna në administratën e shtetit, edhe nga shoqëria, shihet me një lloj adhurimi dhe kësisoj i kompenson gruas edhe nevojën për vlerësim dhe vetëvlerësim”.

“Në psikologjinë shoqërore, puna në administratën shtetërore është sinonim i rehatit”, shpjegon Binjaku, “orar i caktuar, dy ditë pushim në fundjavë, festat pushim dhe rroga e sigurt në fillim të muajit”.

Nisur nga “rehatia”, sociologia thotë se ky lloj modeli përcillet dhe te më të rejat.

“Gruaja shqiptare, sidomos kur ka edhe role të tjera në familje si nënë, bashkëshorte, amvisë, synon një punë që i merr më pak përkushtim e lodhje. Këtë ajo e gjen në administratën e shtetit”.

Më tej, Binjaku thekson se “elementi shoqëror lidhet me nevojën e njeriut për status social dhe ekonomik”.

“Në Shqipëri, kur në kushtet e një tregu kaotik e pa rregulla, administrata shtetërore në dukje është një kuadër më i rregulluar dhe i sigurt”.

Më e lehtë të punosh në administratën shtetërore? 

Sipas Binjakut, çdo sektor ka vështirësi të ndryshme. “Nuk ka asnjë profesion në kodin deontologjik të të cilit të mos ketë tipare që sjellin edhe vështirësi”.

Ajo thotë se në administratën shqiptare vështirësitë vijnë nga nepotizmi, politizimi i skajshëm, paaftësia profesionale, shkollimi i dobët dhe mosnjohja e kodit etik.

“E lehtë bëhet kur në ekipe ka profesionistë, njerëz të përkushtuar dhe të lirë, kur ka drejtues të paanshëm dhe kur ligji është mbi të gjitha”.

Përfitimet dhe përparësitë e punës në administratë  

“Përfitimet dhe përparësitë janë në çdo punë”.

Binjaku shpjegon se në administratë ke mundësinë për të qenë më afër perspektivave zhvillimore të ekonomisë së vendit: përkatësisht në nivel qendror, edhe në atë vendor.

Kësisoj, individët e punësuar bëhen pjesë e një klase të caktuar.

Kultura e punës në Shqipëri  

“Te çdo shoqëri ka një raport të fortë midis pasurisë, pushtetit dhe prestigjit”.

Sociologia Binjaku thotë se kultura në vendin tonë është ende në kërkim e sipër të identitetit të saj.

“Ka njerëz që njohin mirë mençurinë popullore ‘puna të bën njeri’. Ashtu siç ka njerëz për të cilët administrata është tetë orë në punë e jo tetë orë punë”.

Për këtë të fundit, Binjaku thotë se, “kur kategoria e dytë është mbizotëruese, kemi këtë fytyrë shërbimesh që shohim çdo ditë: e ngadaltë, joproduktive, e paaftë, e pushtuar nga korrupsioni dhe e nënshtruar nga politika”.

Në administratën publike, sipas një raporti të DAP-it, 64% e pozicioneve të lira për vitin 2020 u zunë nga gra, ndërsa 36% prej meshkujve.

Nga ana tjetër, në një raport të Institutit të Statistikave për vitin 2020, të papunë janë regjistruar rreth 43 mijë gra kundrejt 39 mijë burrave.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore