Lajme

Tetë gota ujë në ditë janë “të tepërta” për shumicën e njerëzve


Rekomandimi për të pirë tetë gota ujë në ditë ka të ngjarë të jetë i tepërt për shumicën e njerëzve.

Sugjerimi për t’i pirë këto gota uji në ditë është bërë gjerësisht i pranuar dhe shpesh shfaqet në udhëzimet shëndetësore.

Por një studim i fundit, studimi më rigoroz deri më sot mbi qarkullimin e ujit, ka zbuluar se njerëzit kanë një gamë të gjerë të marrjes së ujit.

Shumë njerëz kërkojnë vetëm rreth 1,5 deri në 1,8 litra në ditë, më pak se dy litra të rekomanduara zakonisht.

“Rekomandimi aktual nuk mbështetet aspak shkencërisht”, ka thënë Yosuke Yamada, një nga autorët e parë të punimit.

Sipas tij, shumica e shkencëtarëve nuk janë të sigurt se nga ka ardhur ky rekomandim.

Një çështje është se vlerësimet e mëparshme të kërkesave për ujë kanë tentuar të injorojnë përmbajtjen e ujit të ushqimit, e cila mund të kontribuojë në një pjesë të konsiderueshme.

“Nëse hani vetëm bukë, proshutë dhe vezë, nuk do të merrni shumë ujë nga ushqimi, por nëse hani mish, perime, peshk, makarona dhe oriz, mund të merrni rreth 50 për qind të nevojave për ujë nga ushqimi”, ka thënë Yamada.

Hulumtimi i fundit ka vlerësuar marrjen e ujit të 5 mijë e 604 njerëzve të moshës nga tetë ditë deri në 96 vjeç nga 23 vende.

Ai ka përfshirë njerëzit që pinin një gotë ujë në të cilën disa nga molekulat e hidrogjenit u zëvendësuan nga një izotop i qëndrueshëm i elementit deuterium, i cili gjendet natyrshëm në trupin e njeriut dhe është i padëmshëm.

Shkalla e eliminimit të deuteriumit shtesë zbulon se sa shpejt kthehet uji në trup dhe studimi ka zbuluar se masa ndryshon gjerësisht në varësi të moshës, gjinisë, niveleve të aktivitetit dhe mjedisit të një personi.

Ata që jetonin në klimë të nxehtë dhe të lagësht dhe në lartësi të mëdha, si dhe atletët dhe gratë shtatzëna dhe ato që ushqejnë fëmijën me gji kishin qarkullim më të lartë.

Çka nënkupton se duhet të pinë më shumë ujë.

Sakaq, shpenzimi i energjisë është faktori më i madh në qarkullimin e ujit, me vlerat më të larta të vërejtura te meshkujt e moshës 20 deri në 35 vjeç, me një mesatare prej 4.2 litra në ditë.

Kjo sasi po ashtu ulet me moshën, mesatarisht 2.5 litra në ditë për meshkujt në të 90-at.

Gratë e moshës 20 deri në 40 vjeç kishin një qarkullim mesatar prej 3.3 litrash, i cili ra në 2.5 litra deri në moshën 90 vjeçare.

“Ky studim tregon se sugjerimi i zakonshëm që ne të gjithë duhet të pimë tetë gota ujë është ndoshta shumë i lartë për shumicën e njerëzve në shumicën e situatave”, ka thënë profesor John Speakman.

Sipas tij, ai është një rekomandim që shumë njerëz thjesht e injorojnë dhe ndjekin atë që trupi i tyre u thotë.

Paçka se pirja e një sasie më të madhe uji nga sa kërkon trupi nuk ka gjasa të jetë e dëmshme për shëndetin, uji i pijshëm i pastër nuk është i lirë të prodhohet.

“Ka një kosto për të pirë më shumë se sa kemi nevojë edhe nëse nuk është një kosto shëndetësore”, ka theksuar Speakman.

“Nëse 40 milionë të rritur në Mbretërinë e Bashkuar do të ndiqnin udhëzimet dhe do të pinin gjysmë litër ujë të pastër më shumë se sa u nevojitet çdo ditë, do të ishte 20 milionë litra ujë të humbur çdo ditë”, ka shtuar ai.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore