Lajme

Tesla nxjerr numrin rekord të makinave të reja në tremujorin e parë të vitit


Tesla ka nxjerrë një numër rekord makinash në tremujorin e parë të vitit pas vendimit të Elon Musk për të ulur çmimet e automjeteve elektrike.

Prodhuesi ka dorëzuar 422 mijë e 875 automjete në tre muajt e parë të vitit 2023, 4 për qind më shumë se tremujori i mëparshëm.

Tesla gjithashtu ka prodhuar një rekord prej 441 mijë makina në këtë periudhë, ka njoftuar kompania.

Musk, shefi ekzekutiv i Tesla-s, uli çmimet për gamën e automjeteve të kompanisë deri në 9 për qind muajin e kaluar, duke synuar të forcojë shitjet në një klimë më të ashpër ekonomike dhe të largojë konkurrencën nga prodhuesit e njohur të makinave dhe kompanitë e automjeteve elektrike, duke përfshirë Rivian dhe Polestar.

Megjithatë, kompania ka vazhduar të humbasë terren ndaj rivalëve në disa tregje konkurruese, duke përfshirë Kinën.

“Dëshira që njerëzit të kenë një Tesla është jashtëzakonisht e lartë. Faktori kufizues është aftësia e tyre për të paguar për një Tesla”, ka thënë Musk në ditën e investitorëve të Tesla-s në fillim të marsit.

Çmimi i aksioneve të kompanisë është thuajse dyfishuar në 207 dollarë në vit deri më sot, me investitorët që mirëpresin uljet e çmimeve të Musk-ut dhe përpjekjet për të rritur prodhimin – megjithëse aksionet mbeten shumë nën kulmin e tyre të nëntorit 2021 prej 407 dollarësh.

Kompania ka përfituar nga ndryshimet në regjimin e taksave për automjetet elektrike të prezantuara në SHBA vitin e kaluar. Demokratët hoqën një kufi në numrin e automjeteve nga një prodhues i vetëm që do të kualifikohej për një kredi tatimore prej 7 mijë e 500 dollarësh, duke synuar të stimulojë tregun e automjeteve elektrike.

Uljet e çmimeve kanë “paguar dividentë të mëdhenj” për kompaninë, sipas Daniel Ives, një analist në Wedbush Securities.

“Ne besojmë se kërkesa e konsumatorëve në Kinë u përmirësua gjatë tremujorit për Tesla-n dhe ishte çelësi që kompania të tejkalonte pritshmëritë e ofrimit. Pikëpyetje e madhe do të jenë marzhet pasi ulja e çmimeve do të ketë ndikim në këtë front”, ka shtuar ai.

Tesla ka vendosur një objektiv për të rritur prodhimin me më shumë se 10 herë në 20 milionë automjete në vit deri në vitin 2030. Kjo mund të kushtojë deri në 175 miliardë dollarë për t’u arritur, sipas Zach Kirkhorn, zyrtari kryesor financiar.

Sakaq, Musk ka treguar se kompania do të zgjerojë gamën e automjeteve me një model më të përballueshëm dhe ka rritur nivelet e prodhimit në fabrikat e reja të kompanisë në Gjermani dhe në Austin, Teksas, ku ka selinë Tesla.

Marrë nga “Financial Times”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore