Lajme

Tesla mund të shesë deri në 2 milionë automjete këtë vit, thotë Musk


Kompania Tesla, referuar Elon Musk-ut, mund të dorëzojë deri në dy milionë makina këtë vit.

Dhe e gjitha vjen teksa Tesla uli në mënyrë dramatike çmimet në të gjithë portofolin e vet për të prioritizuar zgjerimin e bazës së klientëve në kurriz të marzheve të fitimit.

Musk është përpjekur të zbusë shqetësimet e investitorëve se kërkesa po zbehet pasi Tesla përballet me konkurrencën në rritje nga prodhuesit e tjerë të mëdhenj të makinave dhe kushte më të vështira ekonomike.

“Deri më tani në janar, kemi parë porositë më të forta nga viti deri më sot se kurrë në historinë tonë. Aktualisht po shohim porosi me pothuajse dyfishin e ritmit të prodhimit”, ka thënë ai.

Sipas tij, pritet që kërkesa të jetë e mirë pavarësisht nga një tkurrje e mundshme në tregun e automobilave në tërësi.

“Mendoj se ka një numër të madh njerëzish që duan të blejnë një makinë Tesla, por nuk mund ta përballojnë atë. Dhe kështu këto ndryshime çmimesh bëjnë vërtet një ndryshim për konsumatorin mesatar”, ka theksuar Musk.

Aksioni i kompanisë, i cili u godit në vitin 2022 pasi humbi rreth 700 miliardë dollarë në vlerën e tregut, tani është rritur gati 40 për qind këtë muaj.

Përditësimi erdhi pasi kompania e automjeteve elektrike raportoi të ardhura rekord prej 24.3 miliardë dollarë për tremujorin e dhjetorit, 37 për qind më shumë nga viti i kaluar.

Analistët kishin pritur 24.2 miliardë dollarë.

Megjithatë, marzhet bruto të automobilave të Tesla-s u tkurrën gjatë tremujorit në 25.9 për qind, gati pesë pikë përqindjeje më poshtë nga një vit më parë.

Referuar kompanisë, çmimet mesatare të shitjes kanë qenë në një trajektore rënëse për vite me radhë dhe se përmirësimi i përballueshmërisë është i nevojshëm për t’u bërë një prodhues multimilionësh i automjeteve.

Po ashtu ka deklaruar se synon të rrisë marzhet duke rritur prodhimin, duke prezantuar modele me kosto më të ulët dhe duke i bërë fabrikat më efikase.

Është parashikuar që do të ndërtojë rreth 1.8 milionë makina në vitin 2023, më shumë se 30 për qind nga 1.3 milionë në vitin 2022.

Por Musk u ka thënë investitorëve se duke përjashtuar çdo problem të madh furnizimi, mund të jetë në gjendje të dërgojë dy milionë automjete.

“Ne nuk po angazhohemi për këtë, por thjesht po them se ky është potenciali”, ka theksuar ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore