Shqipëria

Territoret e përvojave të jetuara të Edi Hilës


Kujtimet më të mira dhe më të këqija ndoshta i ka pikërisht në Shqipëri, por ekspozimin e vetes rrallë ia lë vendit ku u formësua vizioni i tij pamor.

Ai është estet dhe ngjyrat nuk i përdor thjesht për variacionin nuancash, por për të komunikuar.

Këtë e bëri edhe së fundmi, me ekspozitën e hapur në Qendrën për Hapje dhe Dialog (COD) pranë Kryeministrisë, tashmë 78-vjeçari Edi Hila, i cili rrëfimin e përvojave të tija, e ka markuar.

Tetë vepra arti u prezantuan prej tij për ditë me radhë në COD, për të mbushur atë hartë të larmishme të burgosjes shpirtërore komuniste, nën siglën e tij “Territoret e përvojave të jetuara”.

Diku një cep qyteti me kafene e një çadër të zezë. Gjetkë, një zymtësi e shiut gri, në një Shqipëri ku ngjyrat komuniste jetonin mes të bardhës dhe të zezës.

Më tutje, pse jo, edhe një piramidë muzeale e përgjakur, e përçudnuar nën abstraktin e një qielli të thyer dhe e kthyer në një tendë cirku të çuditshëm me mykje bazike.

Hila i di hiletë e komunizmit. Ai i njeh metodologjitë asfiksuese të teprisë për të bllokuar dhe mangësisë për të shushatur.

Ia ka thënë këtë ndoshta botës edhe më herët se vetë vendit të tij…

Në një prej pikturave të tija më të hershme, të realizuar në vitin 2000 dhe të titulluar “Nëna”, Hila tregon madje një pamje objektivisht të krahasueshme me çdo cep shtëpie në Shqipëri.

Një grua të moshuar, veshur me një fustan të lehtë me lule e mëngë të shkurtra, teksa ka drejtuar telekomandën në një televizor jashtë kuadrit të kornizës, ulur në një kolltuk me krahë të plotë dhe me një mur gri në sfond.

Thjeshtësisht e identifikueshme, një nënë tipike shqiptare, post-komuniste, e lirë që telekomandën ta kthejë ndonjë herë pa dashur edhe nga vetja, si në harresë e sipër.

Artisti i lindur në Shkodër në vitin 1944, është etiketuar edhe nga kritikë arti të huaj si ndër figurat më interesante të artit vizual gjatë fillimshekullit të XXI-të.

Punët e tij bëjnë pjesë në koleksione jo vetëm të Galerisë Kombëtare të Arteve në Tiranë, por edhe në instanca të rëndësishme si koleksioni Centre Pompidu në Paris, apo koleksioni privat i Rene Block.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore