Kosova

Tensionet në Veri, Wigemark: Të shqetësuar për incidentet, EULEX po e monitoron situatën


Shefi i EULEX-it, Lars-Gunnar Wigemark, ka thënë se është i shqetësuar pas shpërthimeve që ndodhen të martën në pjesën veriore të Kosovës.

“Të shqetësuar për incidentet e djeshme në veri të Kosovës. Çdo protestë duhet të jetë paqësore dhe të gjithë duhet të qëndrojnë të qetë dhe të përmbajtur”, ka shkruar Wigemark në Twitter.

Ai ka theksuar se EULEX-i po e monitoron situatën dhe është në koordinim me organet e rendit.

“EULEX do të vazhdojë të monitorojë situatën në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe NATO-KFOR-in”, ka shtuar ai.

Të martën në mbrëmje, ekipet e deminimit të KFOR’it, kanë shpërthyer në mënyrë të kontrolluar granatën e cila ishte gjetur në objektin e Komisionit Komunal të Zgjedhjeve në pjesën veriore të Mitrovicës, ku gjatë ditës ka pasur shkrepje armësh e shpërthime, por nuk është raportuar për ndonjë të lënduar.

Sa i përket gjendjen në terren, nga Policia kanë njoftuar se dëmtime të zyrave të komisionit zgjedhor komunal janë bërë nga persona apo grupe të maskuara, të dhunshëm të cilët kanë përdorur mjete të rrezikshme, përfshirë granata dore të prodhimit jugosllav.

Ndërkaq, Policia ka njoftuar se njësitë policore të rendit publik kanë asistuar zyrtarët e Komisionit Komunal Zgjedhor në zyrat e komisionit komunal zgjedhor, të cilat ndodhen në komunat Zubin Potok e Mitrovicë Veri me qellim të  kryerjes së detyrave dhe kompetencave të  tyre ligjore.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se aktiviteti i bandave kriminale në Veri është intensifikuar, sepse ata e dinë “që po iu vije fundi”.

Me një status në Facebook, Kurti ka treguar se do ta rrisë numrin e policëve në atë pjesë të Kosovës.

“Bandat kriminale kanë intensifikuar sulmet në veri të Kosovës. Ato e dinë se po ju vije fundi. Qeveria e Kosovës as s’bën pazare me to dhe as s’i duron ato. Bombat që hedhin, plumbat që shkrepin dhe maskat që vendosin janë pafuqia e tyre politike e popullore”, shkroi Kurti në Facebook.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore