Kosova

Tensionet e Kurtit me Gjermaninë për Procesin e Berlinit “janë për t’u çuditur”


Ilustrim: Albin Kurti dhe Olaf Scholz

Si një gjë për të cilën duhet “çuditur” e ka cilësuar ish-ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Petrit Selimi, tensionet e fundit në mes të Qeverisë së Kosovës dhe Gjermanisë për çështjen e pezullimit të vendimit për ndalimin e futjes së mallrave serbe në Kosovë.

“Procesi i Berlinit është i vetmi mekanizëm rajonal ku Kosova trajtohet në mënyrë të barabartë dhe ku flamuri ynë valonte me flamuj ballkanikë. Tensionet e reja të Kurtit me Gjermaninë për këtë mega-iniciativë janë për t’u çuditur”, ka shkruar ai në platformën sociale, X.

I dërguari i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, të enjten ka zhvilluar vizitën e tij të dytë brenda tetë ditëve në Kosovë, me synim për të bërë përgatitjet e duhura për Procesin e Berlinit dhe bashkëpunimin rajonal, për të cilat tema ka takuar sërish kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin.

Diplomati gjerman në takim ka insistuar që Kosova të pezullojë vendimin për ndalimin e futjes së mallrave serbe në Kosovë.

Sarrazin ka konfirmuar se në të dyja vizitat që ka zhvilluar në Kosovë ka marrë përgjigje negative nga Kurti në kërkesën për një kompromis në kuadër të CEFTA-së – Marrëveshja për Tregti të Lirë.

“Tash ne kemi parimin kryesor në Bashkimin Evropian dhe tash veç mund ta bllokosh veten dhe më duhet t’ia shpjegoj këtu Qeverisë së Kosovës se do të vazhdojmë me marrëveshje për këto çështje, lidhur me tregun e lirë të përbashkët, edhe pa Kosovën nëse është e domosdoshme. Ky është mesazhi im i sotëm”, ka thënë ai, në një intervistë për KTV.

Sarrazin ka shtuar së një refuzim i tillë nënkupton vetëm bllokim të vetvetes.

Kurti refuzoi kompromisin për CEFTA-n, Rohde: Vendet e Ballkanit Perëndimor do të ecin pa Kosovën në Procesin e Berlinit

Qeveria e Kosovës e ka ndaluar importin e mallrave nga Serbia më 15 qershor të vitit të kaluar, një ditë pasi forcat serbe kishin arrestuar tre policë të Kosovës.

Megjithatë, ndryshe nga Sarrazin, këshilltari i kryeministrit të Kosovës, Jeton Zulfaj, ka thënë se gjatë takimit Kurti – Sarrazin është gjetur një zgjidhje kompromisi mbi mundësinë e zhbllokimit të vendimit për ndalimin e importit të mallrave nga Serbia në kuadër të CEFTA-së, por ka qenë Serbia ajo që e ka kushtëzuar këtë zgjidhje.

“Pas tre vjetësh bllokadë të Serbisë brenda CEFTA-s, ne kemi një zgjidhje kompromisi. Serbia tash e ka kushtëzuar këtë zgjidhje me heqjen e masave të sigurisë së Kosovës në pikat kufitare me Serbinë. Këto dy çështje nuk kanë lidhje”, ka shkruar Zulfaj.

Masat e Kosovës, ka sqaruar më tej Zulfaj, nuk kanë të bëjnë me tregtinë, por rrjedhin “nga kërcënimet ndaj sigurisë sonë kombëtare, të zbatuara jo nga ministri ynë i tregtisë, por nga autoritetet tona të sigurisë”.

Kurti refuzoi kompromisin për CEFTA-n, Rohde: Vendet e Ballkanit Perëndimor do të ecin pa Kosovën në Procesin e Berlinit

Ndërkohë ambasadori i Gjermanisë në Prishtinë, Jorn Rohde, nëpërmjet një postimi në platformën “X” të enjten, ka thënë se vendet e Ballkanit Perëndimor do të lëvizin pa Kosovën drejt bashkëpunimit rajonal, pas vizitës së “passuksesshme” të Sarrazin, në Prishtinë, në kuadër të përgatitjeve në prag të Procesit të Berlinit.

Sipas Rohdes, duke qenë se Kosova ende përfaqësohet në CEFTA përmes Misionit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (UNMIK), emisari i posaçëm s’ka arritur të bind Kurtin të bëjë kompromis: Kosova e përfaqësuar në CEFTA në këmbim të heqjes së ndaleses për mallrat serbe.

“Sarrazini vizitoi sërish Kosovën për t’i kërkuar Kurtit të bëjë kompromis për CEFTA-n, duke mundësuar liritë kyçe për qytetarët, duke zëvendësuar UNMIK-un dhe sjellë Kosovën në bord – pa sukses. Nëse është e nevojshme, vendet e tjera të rajonit do të lëvizin pa Kosovën për momentin, për të ecur përpara drejt bashkëpunimit rajonal dhe Procesit të Berlinit”.

Kurti refuzoi kompromisin për CEFTA-n, Rohde: Vendet e Ballkanit Perëndimor do të ecin pa Kosovën në Procesin e Berlinit

Kosova është anëtare e CEFTA-s prej vitit 2007, por përfaqësohet përmes Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK).

CEFTA ka për qëllim lehtësimin e shkëmbimeve tregtare të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Shtetet tjera anëtare të CEFTA-s janë Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Serbia, Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi dhe Moldavia.

Ndërkaq Procesi i Berlinit nuk është një proces formal i politikës së BE-së ndaj rajonit të Ballkanit Perëndimor. E nisur nga ish-kancelarja gjermane, Angela Merkel, kjo inciativë synon të lehtësojë zhvillimin ekonomik përmes nxitjes së bashkëpunimit midis vendeve të rajonit, para anëtarësimit në BE.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore