Tender mbi 800 mijë euro për renovimin e IML-së

Djegia e Institutit të Mjekësisë Ligjore, MD-ja ndan tenderë për rregullimin e kulmit e rikonstruksionin e hapësirave të brendshme.
SHFLETO

Foto nga zjarri në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML)

 

Altina Marmullaku
24.09.2024 10:37
Loading Icons...

Mbi 800 mijë euro është dhënë tenderë për renovimin e kulmit dhe rikonstruksionin e hapësirave të brendshme në objektin e Institutit të Mjekësisë Ligjore nga Ministria e Drejtësisë.

Kjo për shkak se ky institut ishte përfshirë dy herë nga zjarri gjatë vitit 2023.

Ndërkaq, kontrata është dhënë me procedurë të hapur, e vlera e përgjithshme e saj është 814 mijë e 229 euro e 72 cent.

“Çdo palë e interesuar mund të bëjë ankesë pranë Autoritetit Kontraktues në bazë të nenit 108/A te ligjit Nr. 04/L-042 për Prokurimin Publik të Republikës se Kosovës, i ndryshuar dhe plotësuar me ligjin Nr. 04/L-237, ligjin Nr. 05/L-068 dhe ligjin Nr. 05/L-092 ne adresën e specifikuar ne Nenin I te këtij Njoftimi për dhënie te kontratës”, thuhet në njoftim.

Tenderi që është dhënë për renvoimin e Institutit të Mjekësisë Ligjore.

Nënshkrimi i kontratës është planifikuar të bëhet të mërkurën.

Kurse, punimet do t’i kryejë “MBB Construction SH.P.K”.

Albanian Post me burime brenda Institutit kishte kuptuar se zyrat që janë djegur nga flakët janë ato të ish-drejtorit Arsim Gerxhaliu dhe zëvendës-drejtorit aktual Ditor Halitit.

Këto dy zyra përbëjnë edhe dy dhomat kryesore brenda institutit.

Kjo s’ishte hera e parë që ishte djegur një pjesë e IML-së këtë vit.

Në muajin mars objekti i IML-së ishte përfshirë nga flakët gjithashtu.

Atëherë dyshohej se shkaktar ishte defekti në instalimin elektrik, por kurrë s’u vërtetua.

Në IML ruhen provat e vdekjeve të dyshimta, vrasjeve dhe rasteve që janë nën hetim.

Këto s’janë parregullsitë e vetme me këtë institut.

Në po të njëjtin, për një kohë të gjatë u tha se kanë humbur nga dhoma e dëshmive mbetjet e Astrit Deharit, aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje që vdiq në rrethana të dyshimta në burg e për të cilin LVV thoshte se “e ka vrarë pushteti”.

Mbetet akoma e pakuptueshme se kush mban përgjegjësinë e kujdesit që të mos ndodhin rate të tilla, përveç përgjegjësisë politike që i takon Ministrisë së Drejtësisë.