Shqipëria

Temperaturat në -18, mbrojtja civile në gatishmëri


Shqipëria pritet të goditet nga një valë siberiane e të ftohtit, ku në disa zona, temperaturat pritet të shkojnë deri në -18 gradë Celsius ndërsa në kryeqytet, deri në -8.

Zona më të prekura, sipas ministrit të Mbrojtjes, do të jenë Puka apo Bulqiza, teksa me vështirësi do të përballen edhe zonat bregdetare.

Për këtë arsye, me kulmimin e tyre, ditën e hënë, Peleshi ka siguruar se autoritetet do të jenë në gatishmëri, për të shmangur çdo lloj skenari negativ në territor.

“Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile është në gatishmëri dhe në kontakt të vazhdueshëm me të gjitha njësitë vendore”, shkruan Peleshi në Facebook.

Ndërsa, një apelim, ka ardhur edhe për qytetarët në zonat më të thella.

“Të ndiqen këshillat e shtabeve të emergjencave në bashkitë e zonave më të thella, për të shmangur situata të rënda”, përmbyll ai.

Prej situatës së pritshme, një njoftim ka ardhur edhe nga ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi, e cila lajmëroi mbylljen e shkollave për tre ditë, për shkak të motit të ftohtë.

Përkatësisht, bëhet fjalë për datat 24-25-26 janar.

Sakaq, përmirësime të klimës priten rreth mesjavës, me një normalizim të temperaturave në të gjithë vendin.

Reshjet e dëborës nuk pritet të mungojnë po ashtu, me zonat e thella malore, më të rrezikuarat për të mbetur në izolim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore