Lajme

Telefonat e stafit të BE-së janë ‘spiunuar’ nga softueri izraelit


Telefonat e pjesëtarëve të stafit të Bashkimit Evropian janë komprometuar nga softueri (Pegasus) spiun i një kompanie izraelite (NSO Group).

Lajmi u bë i ditur nga agjencia “Reuters”, duke cituar zyrtarin më të lartë të drejtësisë të BE-së.

Në një letër të 25 korrikut dërguar ligjvënëses evropiane Sophie in ‘t Veld, komisioneri i drejtësisë i BE-së Didier Reynders deklaroi se prodhuesi i ‘Apple’ i kishte thënë atij në vitin 2021 se iPhone i tij ndoshta ishte hakuar duke përdorur Pegasus.

Ky i fundit, është një mjet i zhvilluar dhe shitur klientëve të qeverisë nga firma izraelite e mbikëqyrjes “NSO Group”.

Paralajmërimi nga Apple shkaktoi inspektimin e pajisjeve personale dhe profesionale të Reynders, si dhe telefonave të tjerë të përdorur nga punonjësit e Komisionit Evropian, thuhet në letër.

Megjithëse hetimi nuk gjeti prova përfundimtare se telefonat e Reynders ose stafit të BE-së ishin hakuar, hetuesit zbuluan “tregues të kompromentimit” – një term i përdorur nga studiuesit e sigurisë për të përshkruar se ekzistojnë prova që tregojnë se ka ndodhur një hackim.

Letra e Reynders nuk dha detaje të mëtejshme dhe ai tha se “është e pamundur t’i atribuohen këta tregues një autori specifik me siguri të plotë”.

Ai shtoi se hetimi ishte ende aktiv.

NSO Group është paditur nga Apple Inc. për shkeljen e kushteve dhe marrëveshjes së shërbimeve të përdoruesit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore