Financa

Teksa lira bie, Turqia rrit presionin mbi bankat


Në Turqi, autoritetet kanë rritur presionin ndaj bankave të vendit për të kufizuar blerjet e valutës së huaj nga klientët e korporatave.

E gjitha ka ardhur si një përpjekje për të ndalur tenien e lirës.

Bankierët e Stambollit po përballen me ndërhyrje të shtuara nga banka qendrore, me zyrtarët që hetojnë transaksionet e korporatave në valutë me vlerë më pak se një milion dollarë.

“Edhe për një milion ose dy milionë dollarë, telefonojnë për të kontrolluar se kush është blerësi? Janë vërtet të shqetësuar për rrjedhën e korporatës”, ka treguar një bankier.

Ndërhyrja është taktika e fundit jokonvencionale që zyrtarët turq kanë përdorur për të stabilizuar monedhën që ka rënë me 45 për qind kundrejt dollarit gjatë 12 muajve të fundit.

Çka e ka çuar inflacionin në rritje.

Bankierët, me sektorin financiar nën presion nga presidenti Rexhep Tajip Erdogan, nuk kanë zgjidhje tjetër veçse të përmbushin kërkesat për të kërkuar miratimin paraprak nga banka qendrore për blerjet e valutës së huaj.

Në disa raste, bankat tregtare janë urdhëruar të refuzojnë të lehtësojnë blerjet në valutë për klientët e tyre krejtësisht, veçanërisht ato me vlerë më shumë se pesë milionë dollarë.

Autoritetet turke kanë ndërhyrë në mënyrë të përsëritur në drejtimin e bankave dhe korporatave vitet e fundit.

Një tjetër bankier ka thënë se ndërhyrja “ka qenë duke u intensifikuar” dhe se ata “po i nënshtrohen një shqyrtimi më të ngushtë”.

Bizneset kanë nevojë për dollarë dhe euro për një sërë arsyesh, që nga pagesa për lëndët e para të blera nga jashtë deri te shërbimi i barrës së tyre të madhe të borxhit në valutë të huaj.

Megjithatë, autoritetet turke kanë ngritur shqetësime se disa firma po angazhohen në spekulime kundër lirës.

Pas katër muajsh stabilitet relativ, monedha ka humbur rreth katër për qind kundrejt dollarit që nga mesi i javës së kaluar.

Shitjet e valutës së huaj nga banka qendrore dhe masat e politikës që synonin inkurajimin e kursimtarëve të parkonin paratë e tyre në llogaritë e lirave kishin vepruar si një mbulesë gjatë muajve të hapjes së vitit 2022.

Vala e fundit e presionit ndaj kompanive dhe bankave turke për të kufizuar transaksionet e tyre të këmbimit valutor vjen në një kohë kur likuiditeti në tregjet valutore të vendit është i kufizuar.

Çka nënkupton se blerjet relativisht të vogla të dollarëve ose eurove mund të kenë një ndikim të madh.

Erdogan, si një kundërshtar i përjetshëm i normave të larta të interesit, ka përdorur një sërë metodash jokonvencionale në përpjekje për të stabilizuar lirën.

Të gjitha duke ruajtur kostot reale të huamarrjes jashtëzakonisht të ulëta teksa ai përgatitet për zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare që duhet të mbahen përpara qershorit 2023.

Marrë nga “Financial Times”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore