Shëndet

Teknologjia dëmton rëndë sytë e fëmijëve


Çdo ditë e më shumë vihet re një rritje e ndikimit të teknologjisë në jetën tonë. Teknologjia është pjesë e pandashme në shumë sfera, jo vetëm e të rriturve por së fundmi edhe te fëmijët. Tek këta të fundit vihet re një rritje e përdorimit të telefonave.

Mjekët, prindërit dhe psikologët janë shumë të shqetësuar për dëmet që shkaktojnë celularët te sytë e fëmijëve. Varësia nga teknologjia është faktuar që mund të rrisë rrezikun e shfaqjes së problemeve , si miopia dhe astenopia.

Doktor Nadon Qafa, okulist në Spitalin Amerikan 3, është shprehur për Albanian Post se telefonat dhe tabletat çdo ditë e më shumë rrezikojnë në masë shëndetin e syve te fëmijët.

Ai tha , “Është shumë e rëndësishme që t’i kontrolloni fëmijët te specialisti i syve, pasi nëse nuk trajtohet që në moshë të vogël, problemi mund të sjellë ulje të përhershme të shikimit”.

Mjeku shpjegoi që astenopia apo lodhja e syve është një gjendje e zakonshme, që ndodh pas një shikimi të tejzgjatur dhe të tendosur, shpesh për shkak të përdorimit të tepërt të smartphoneve dhe kompjuterëve. Mund të ndodhë me simptoma të ndryshme rastësisht, edhe nëse më të shpeshtat janë nervozizmi i syve dhe dhimbja e kokës. Në përgjithësi, ajo tenton të zgjidhet duke pushuar.

Miopia, nga ana tjetër, është e pakthyeshme, vështirësi në shikimin nga larg. Në praktikë, miopët shohin mirë në distancë të ngushtë, ndërsa imazhet e largëta duken të paqarta. Në shumicën e rasteve, çrregullimi fitohet, domethënë zgjat me kalimin e viteve, sidomos në moshën shkollore.

Dy problemet kryesore, sipas mjekut, janë shtrembërimi dhe lotimi i syve. Këto probleme mund të shprehin atë që ne e quajmë nevojën për syze.

Është shumë e rëndësishme që, nëse nuk doni të komprometoni shikimin e fëmijëve dhe të rinjve, të mos i lejoni që ata të përdorin smartphones për një kohë të gjatë. Thuajse të gjithë prindërit që kontaktuam, ishin të shqetësuar për varësinë që kanë krijuar fëmijët e tyre.

“Është e pamundur të luftoj çdo ditë me fëmijën tim.  Ime bijë qetësohet vetëm me telefon. Varësia që ka krijuar është e tmerrshme ”, tha Sabi Cahani, nënë e dy vajzave.

Psikologia për fëmijë, Mirjeta Pestisha, ka analizuar këtë problem. Ajo thotë se prindërit duhet të ndërgjegjësohen për efektet anësore që shkaktojnë smartphonët. Fëmijët e vegjël deri në moshën 2 vjeç rekomandohet të mos shikojnë televizion fare. Fëmijët e kësaj moshe duhet të zvarriten dhe të ecin duke ndërvepruar me lodra tinguj, ngjyra dhe materiale të ndryshme.

Televizori dhe telefoni nuk lënë vend për imagjinatë, por krijon edhe konfuzione mes realitetit dhe fantazisë te fëmijët.

Ndër pasojat më të rrezikshme janë: mbyllja e fëmijëve në vete, efekte negative në socializim, luhatje emocionale dhe agresivitet.

Sipas psikologes, qëndrimi gjatë para ekranit ul aftësinë e shoqërimit, provokon ankthin, dhe ndikon negativisht në zhvillimin e trurit.

Pestisha këshillon që në ambientin ku qëndrojnë fëmijët të ketë libra, revista për fëmijë, lodra, të cilat mund t’i krijoni edhe ju vetë. Bëni shëtitje, lexoni, këndoni së bashku me fëmijët tuaj.

 

 

 

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore