Sport

Teknologjia britanike kundër dronëve dhe qentë e trajnuar gati për sigurinë Olimpike


(Getty Images)

Teknologjia anti-dronë e Forcave Ajrore Mbretërore të Mbretërisë së Bashkuar dhe qentë nuhatës janë zgjedhur me kujdes nga autoritetet franceze për të mbështetur operacionet e sigurisë në Lojërat Olimpike të Parisit. Operacioni “i paprecedentë” është tre herë më i madh se Olimpiada e Londrës në 2012.

Më shumë se 40 vende kanë ofruar përforcime për policinë franceze me policinë britanike që përbën një pjesë të konsiderueshme të 1,700 oficerëve të huaj të thirrur për të mbështetur një total prej 45,000 oficerësh francezë.

Një kamp i madh ushtarak është ndërtuar për të akomoduar forcat e sigurisë dhe ushtarët gjatë Lojërave.

Burimet e sigurisë së Lojërave Olimpike i thanë “Telegraph Sport” se francezët kishin kërkuar gjithashtu mbështetje nga ekspertiza “lider në botë” kundër dronëve, si dhe qentë sniffer (zbulues) në Mbretërinë e Bashkuar.

Bashkëpunimi britaniko-francez ka qenë “shembullor” mes planifikimit të kujdesshëm për të penguar komplotet e mundshme terroriste në Lojërat, shtoi burimi i brendshëm.

Forcat franceze të sigurisë filluan të mbyllin qendrën e Parisit të enjten e kaluar, duke zbatuar kufizime të rrepta trafiku në përgatitje për ceremoninë e hapjes në lumin Sena.

Zyrtarët francezë janë përgatitur gjithashtu për të luftuar një nivel të paprecedentë të kërcënimeve kibernetike, duke përfshirë organizatat kriminale, aktorët shtetërorë si Rusia që synojnë të prishin Lojërat, “haktivistët” ideologjikë ose lojtarët oportunistë.

Përpara Lojërave, mijëra kontrolle administrative u bënë për atletët, trajnerët, gazetarët, vullnetarët, rojet e sigurisë private dhe madje edhe banorët për të verifikuar individë që mund të përbënin kërcënim për sigurinë e ngjarjes.

Inteligjenca franceze gjithashtu ka identifikuar dhe arrestuar disa individë, duke përfshirë një shtetas çeçen për planifikimin e një sulmi “të frymëzuar nga islamizmi” dhe një neo-nazist të dyshuar për shënjestrimin e stafetës së pishtarit.

Lojërat Olimpike të Parisit nisin këtë të premte me ceremoninë e hapjes në orën 19:30 (CEST).

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore