Sport

Tebas: Real-i dhe Barcelona kundër marrëveshjes me CVC, dëmton Superligën


Presidenti i Ligës Kombëtare të Futbollit Profesionist në Spanjë, Javier Tebas, foli në konferencë për shtyp në Asamblenë e Përgjithshme të Klubeve që çoi në miratimin e marrëveshjes mes ligës dhe CVC Capital Partners.

Nga kjo marrëveshje do të përfitojnë para hua 38 klube nga La Liga dhe La Liga 2, ndërsa Real Madrid-i, Barcelona dhe Athletic Bilbao kanë mbetur jashtë saj, pasi nuk pranuan kushtet e kontratës.

Tebas, u pyet nga gazetarët në lidhje me mos pranimin e dy gjigandëve spanjollë Real dhe Barcelona për të qenë pjesë e marrëveshjes me CVC dhe ai u përgjigj se “padyshim, pozicioni i Real Madrid-it dhe Barcelona-s ka të bëjë me Superligën”.

“Është e qartë se, veçanërisht për Real Madrid-in, ky injeksion i burimeve për klubet, për t’i bërë sa më konkuruese, për të përmirësuar strukturat e tyre dhe për të çuar në një ligë më të fortë, nuk favorizon modelin e Superligës që Florentino (Perez) dëshiron të krijojë”, shtoi Tebas-i.

“Kjo ndodh sepse ne do të rritemi në tregun e të drejtave audiovizive dhe (Perez) do të ketë shumë më pak treg”.

“Është një problem kulturor, ata besojnë se klubet e mëdha janë ato që duhet të komandojnë gjithçka. Dhe jo vetëm për të komanduar, ata duan të luajnë vetëm me njëri-tjetrin”, përfundoi kreu i Ligës Kombëtare të Futbollit Profesionist spanjoll.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore