Kosova

“Të shtyhet afati i gjobitjes për targat, serbët të kthehen në institucione” – Chollet pas bisedës me Kurtin


Derek Chollet dhe Albin Kurti

Shtyrja e fazës së dytë të vendimit të Qeverisë së Kosovës për targat, pra mos-gjobitja e qytetarëve serbë të cilët nuk kanë konvertuar targat e tyre ilegale në ato RKS, kthimi i serbëve të Kosovës në institucionet dhe fokusimi në dialogun për të normalizuar raportet.

Këto janë tri kërkesat eksplicite të Derek Chollet, këshilltarit special të Sekretarit Amerikan të Shtetit, Antony Blinken, drejtuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, gjatë një bisede telefonike në vigjiljen e 21 nëntorit, ditës kur edhe fillon implementimi i fazës së dytë të vendimit të Qeverisë së Kosovës për targat – gjobitja.

“Fola me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti për shmangien e përshkallëzimit të mëtejshëm: shtyrja e dënimeve për targa, mbajtja e hapur e derës për kthimin e serbëve të Kosovës në institucione dhe fokusimi në normalizimin e dialogut me Serbinë, rruga më e mirë për të avancuar integrimin evropian dhe euroatlantik të Kosovës”, ka shkruar Chollet në rrjetin e tij social në Twitter menjëherë pas bisedës telefonike me Kurtin.

Këtë bisedë e ka lajmëruar edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përmes një cicërime në Twitter.

Megjithatë ndryshe nga zyrtari amerikan, Kurti ka dhënë detaje për pika të tjera të bisedës.

“Një bisedë telefonike e sinqertë dhe e rëndësishme me nënsekretarin e Shtetit Derek Chollet për domosdoshmërinë e një marrëveshjeje për normalizimin e plotë me Serbinë me qendër njohjen reciproke, me fokus situatën e sigurisë në Kosovë së bashku me sundimin e ligjit”, ka njoftuar Kurti në Twitter.

Kujtojmë që BE-ja ftoi një ditë më parë kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç’in, për një takim në Bruksel.

Kjo, në një përpjekje për të gjetur një zgjidhje për situatën në Veriun e Kosovës, të cilën zyrtarët evropianë kanë cilësuar më të rrezikshmen që nga viti 2013.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, nuk tha se kur mund të ndodhë takimi, por shfaqi shpresën se ai duhet të ndodhë shumë shpejt.

Pasditja e së dielës apo mëngjesi i së hënës janë përmendur si periudha të mundshme të takimit.

Qeveria mund ta mbyllë çështjen e Asociacionit një herë e mirë, ia mundësojnë parimet universale dhe ligji – përse nuk po e bën?

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore