Lajme

“Të qëllimshëm”, e cilëson Prokuroria rastin e djegies së hetuesit serb


Veriu i Kosovës.

Prokuroria Themelore në Mitrovicë, e ka cilësuar rastin e djegies të hetuesit serb në Veri si “të qëllimshëm”.

Zëdhënësi i kësaj prokurorie, Valon Preteni, në një përgjigje me shkrim për Albanian Post ka thënë se janë duke u kryer hetime që nga pranimi i këtij informacioni.

“Dyshohet që është djegie e qëllimshme, është njoftuar prokurori kujdestar i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, dhe ka urdhëruar që të iniciohet rast për veprën penale “Zjarrëvënia”, në bashkëpunim me policinë janë duke u ndërmarrë veprime hetimore që të zbulohen kryerësit”, ka thënë Preteni për Albanian Post.

Foto nga vendi i ngjarjes.

Mëngjesin e së mërkurës, një veturë është djegur tërësisht e cila i takon hetuesit policor të nacionalitetit serb i cili punon në jug të Mitrovicës.

Dyshimet e para kanë qenë që vetura është djegur qëllimshëm nga persona deri tash të panjohur, për shkak të bashkëpunimit të pronarit të veturës me institucionet e Kosovës.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe njësitë e zjarrfikësve, kurse edhe nga ana e policisë kanë nisur hetimet.

Edhe në të kaluarën në Veri të Kosovës, të banuar kryesisht me serbë etnikë, ka pasur incidente të ngjashme.

Përkundër se situata në pjesën veriore është më e qetë pas ngjarjeve të 24 shtatorit të vitit të kaluar, ende perceptohet tensioni – tension për shkak të numrit të madh të çështjeve të pazgjidhura në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore