Shqipëria

Të punuarit nën vëzhgim


Të jesh i vëzhguar gjatë orarit të punës, në ambientet e punës, nuk është diçka e pazakontë.

Por, të jesh në shtëpi, duke punuar dhe të vëzhgohesh, kjo po që është e sikletshme.

Për disa, të punuarit nga shtëpia ka qenë e thjeshtë, për disa të tjerë jo dhe aq.

Për shkak të bllokimit nga COVID-19, punonjësit e kompanisë operative telefonike, “Teleperformanca” u detyruan të punonin nga shtëpia.

Gjendur përballë këtij fakti, puna e operatorëve është monitoruar nën mbikëqyrjen e kamerave.

Një punonjëse e kompanisë së “Teleperformance”, në kushte anonimati, ka pohuar për Albanian Post se, gjatë kohës që ka punuar nga shtëpia, është monitoruar nga kamera.

Ajo bën me dije se kjo gjë është kërkuar nga kompania kontraktuese.

“Monitorimi bëhej, në minutat e para të punës që zgjaste shumë pak. Hapnim kamerën dhe supervizori bënte një kontroll të ambientit ku ne punonim, nëse kishim persona afër vetes”.

Sipas punonjëses, “Apple” e kërkon këtë kontroll për arsye sigurie.

“Bëhet një kontroll edhe i pajisjeve që kemi afër, nëse mund t’i përkasin një kompanie tjetër. Kjo, pasi pajisjet e kompanive të tjera mund të jenë pre e përgjimeve. Po ashtu, nuk duhet të uleshim pranë dritares. Kontrolli zgjaste pak, nuk krijonte bezdi në punën që unë bëja”.

Por në Britani, të punuarit në kushte shtëpie dhe të qenit i vëzhguar nga kamera ka hasur në mjaft polemika.

Ngjashëm si kompania e “Teleperformance”-s, një qendër evropiane Call Centre në Britani është kritikuar.

Qendra, e përdorur nga dhjetëra kompani kryesore në Mbretërinë e Bashkuar, është kritikuar për atë që sindikatat e kanë quajtur monitorim ndërhyrës të stafit që punon në shtëpi dhe familjeve të tyre.

Këto pretendime nuk prekin drejtpërdrejt 10 mijë punonjësit e kompanisë në Mbretërinë e Bashkuar.

Disa nga kritikat përqendrohen në vendet në të cilat stafi anglishtfolës u përgjigjet thirrjeve të klientëve në Mbretërinë e Bashkuar, të tilla si Greqia dhe Shqipëria.

Kompania me bazë në Francë, e cila punëson rreth 380 mijë persona në 34 vende, thotë se është plotësisht në përputhje me të gjitha ligjet vendore dhe ndërkombëtare.

Një anë tjetër e një rasti të cituar nga “The Irish”, tregon heqjen nga puna të punonjëses për shkak se ka refuzuar kushtet.

Vajza në fjalë merrej me klientët britanikë në një Call Centre në Shqipëri.

Sipas “The Irish”, ajo tha se, pasi kundërshtoi monitorimin me video, ndërsa punonte në shtëpinë e prindërve të saj, u pushua nga puna, pavarësisht se ishte promovuar kohët e fundit.

Monitorimi

“Teleperformance” këmbëngul se shpërndarja e video-kamerave në Mbretërinë e Bashkuar nuk ishte për monitorim në distancë, por me fokus vetëm trajnimin dhe bisedat me kolegët.

Sidoqoftë, shqetësimet janë ngritur në lidhje me praktikat e kompanisë në vende të tjera.

Disa nga kushtet më të rrepta të punës në shtëpi duket se përfshijnë stafin e “Teleperformance” në Kolumbi, të cilët kryesisht merren me klientët në SHBA.

Përveç asaj që përshkruhet si monitorim video “në kohë reale”, punëtorëve mund t’u kërkohet të japin detaje biometrike, madje edhe rezultate të ekzaminimeve mjekësore.

Një kontratë e nënshkruar, e parë nga “The Guardian”, thotë se stafi duhet të pajtohet që fotot dhe videot e tyre, familjeve dhe fëmijëve mund të qarkullojnë brenda kompanisë dhe se ata pranojnë teste poligrafi.

Një anëtar i stafit kolumbian, duke folur në mënyrë anonime, tha se supozimi ishte se nuk kishte zgjidhje tjetër veçse të pajtoheshin.

“Çdo ditë ndihemi sikur nuk kemi privatësi. Janë fytyrat tona, jeta jonë. Është hapësira jonë në shtëpitë tona, familjet tona. Ne nuk e duam këtë, por duhet ta bëjmë, për të mbajtur punën”.

Christy Hoffman, sekretarja e përgjithshme e UNI Global Union, u shpreh se një mbikëqyrje e tillë në shtëpi “i detyron punëtorët të bëjnë një zgjedhje midis spiunimit dhe punësimit”.

Një zëdhënës i “Teleperformance”-s tha se kompania përdori kamera në internet “kryesisht për qëllime bashkëpunimi” siç janë takimet dhe trajnimet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore