Kosova

“Të pafajshëm” deklarohet ish-deputeti Haxhi Shala e gjashtë të akuzuarit tjerë për “falsifikim të rezultateve” në zgjedhjet e 14 shkurtit


Ish-deputeti i AAK-së Haxhi Shala është deklaruar i pafajshëm për falsifikim të rezultateve të votimit, në zgjedhjet e 14 shkurtit të vitit 2021.

Njejtë si Shala, janë deklaruar edhe Arber Krasniqi, Sahit Mataj, Përparim Përvetica, Ilirjan Hysenaj, Granit Halilaj, dhe Dardan Gashi, të akuzuarit e tjerë në këtë rast.

Ish-deputeti i NISMA-s që kishte kaluar në AAK më korrik 2020, Haxhi Shala, me mbrojtësin avokatin Xhevdet Smakqi, deklaroi se ndihet i pafajshëm dhe i fyer nga aktakuza e Prokurorisë Speciale, raporton Betimi për Drejtësi.

Sipas aktakuzës së përpiluar me datën 30 dhjetor të vitit 2022 të akuzuarit Arber Krasniqi, Sahit Mataj, Ilirjan Hysenaj, Granit Halilaj edhe Përparim Përvetica me datën 1 janar të vitit 2021 në Qendrën e Numërimit në Fushë Kosovë me dashje dhe në bashkëkryerje me persona të tjerë në cilësinë e personave zyrtarë falsifikuan rezultatet e votimit për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Tutje të akuzuarit ngarkohen se me qëllim të shtimit të votave për ish-ministren Meliza Haradinaj-Stublla nga subjekti politik “AAK” i shtuan 65 vota për Haradinaj-Stublla, kurse me datën 2 mars të vitit 2021 të akuzuarit Metaj dhe Krasniqi takohen me Jetmir Bytyqin bashkëshortin e deputetes Albana Bytyqit po ashtu nga subjekti politik “AAK”, ku gjatë diskutimit me Bytyqin të njëjtit i tregojnë se kanë shtuar votat për kandidaten Haradinaj-Stublla.

Biseda e tillë mes të akuzuarve Metaj dhe Krasniqi ishte incizuar nga deputetja Bytyqi dhe se biseda e njëjtë pastaj ishte publikuar në portalin “Insajder”.

Gjithnjë sipas aktakuzës të akuzuarit Ilirjan Hysenaj, Përparim Përvetica, Granit Halilaj, Arber Krasniqi dhe Sahit Metaj nga bisedat e zhvilluara në aplikacion “ Viber” sqarojnë se shtimi i votave për kandidaten Haradinaj-Stublla po behet realitet dhe se  sipas bisedës duhet të punohet që të mos flitet për këto veprime që kishin ndërmarr të akuzuarit.

Andaj me këto veprime sipas Prokurorisë Speciale të akuzuarit Ilirjan Hysenaj, Përparim Përvetica, Granit Halilaj, Arben Krasniqi dhe Sahit Metaj kan kryer veprën penale “ Falsifikim i rezultateve të votimit”  e paraparë dhe e sanksionuar sipas me nenin 219 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Tutje sipas aktakuzës, Haxhi Shala, Sahit Mataj dhe Dardan Gashi gjatë muajit shkurt dhe mars të vitit 2021 në Qendrën e Numërimit në Fushë Kosovë me dashje dhe në bashkëkryerje mes vete i falsifikojnë rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve për Kuvend të Republikës së Kosovës në vitit 2019.

Fillimisht i akuzuari Sahit Metaj në bashkëkryerje me Dardan Gashi planifikojnë dhe i shtojnë  vota kandidatit për deputet Haxhi Shala.

Kjo situatë sipas aktakuzës vërehet në SMS e zhvilluara midis të akuzuarit Sahit Metja duke i thënë të akuzuarit Haxhi Shala se a është e vërtet se i duhen edhe 250 vota për t’u bërë deputet dhe në përgjigjen i akuzuari Haxhi Shala ia konfirmon.

“Jam nipi i Florimit, më erdhi një informatë se edhe 250 të duhen, a është e vërtet”, sipas sms që i akuzuari Sahit Metaj i kishte dërguar Haxhi Shala ku ky i fundit në sms ia konfirmon me fjalën “Po”.

Ndërkaq i akuzuari Dardan Gashi në bisedën e tij me të akuzuarin Sahit Metaj shihet duke i thënë se zyrtarët tjerë e kanë nxënë dhe se në tavolinën e tij të numërimit të votave duhet shkuar prap në rinumërim.

“M… u ba, m.. u ba,më nxunën man”, sipas sms të zhvilluar midis Sahit Metaj dhe Dardan Gashit.

Me këto veprime të akuzuarit Haxhi Shala, Dardan Gashi dhe Sahit Metaj “Falsifikimi i rezultateve të votimit” e sanksionuar me nenin 216 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Kosovës.

Në aktakuzës propozohen që të dëgjohen 23 dëshmitarë ndër ta edhe ish ministrja Meliza Haradinaj-Stublla.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore