Lajme

Të mërkurën, konferenca e radhës për ecurinë e rastit Gucati dhe Haradinaj


Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati dhe nënkryetari i organizatës, Nasim Haradinaj, do të dalin para Gjykatës Speciale në Hagë të mërkurën në ora 11:00, sipas kalendarit të publikuar nga faqja zyrtare.

Më 11 dhjetor 2020, Gjykatësi i Procedurës Paraprake i Dhomave të Specializuara të Kosovës, konfirmoi aktakuzën e parashtruar më 30 tetor 2020 nga Prokurori i Specializuar kundër Gucatit dhe Haradinajt.

Aktakuzat janë ngritur për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, në lidhje me pengimin e personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare.

Gjithashtu mbi to rëndon akuza për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Gucati është deklaruar i pafajshëm para Dhomave të Specializuara në Hagë, në seancën e parë ndaj tij me 18 dhjetor që prej konfirmimit të aktakuzës.

Përpara vet-deklarimit, Gucati ka thënë se ai dhe bashkëluftëtarët e tij kanë luftuar për liri dhe në mbrojtje të atdheut.

Kreu i veteranëve të luftës së UÇK-së u arrestua më 25 shtator 2020 në zyrat e organizatës, pas bastisjes që hetuesit e Speciales dhe Policia e EULEX-it zhvilluan në UÇK.

Po atë ditë, Gucati është transferuar në Hagë dhe është duke u mbajtur paraburgim.

Po ashtu edhe nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Nasim Haradinaj, u paraqit në Gjykatë, por nuk pranoi të prononcohej në seancë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore