Përballje

Të martën zhvillohen gjysmëfinalet e Ligës Unike


Edicioni i parë i një lige të përbashkët mes Shqipërisë dhe Kosovës në basketboll, është duke u zhvilluar dhe tani ka arritur në fazën gjysmëfinale.

Sot (e marte) do të zhvillohen dy gjysmëfinalet e para të këtij edicioni në palestrën “Dhimitraq Goga” në Durrës, në të cilat marrin pjesë tre ekipe nga Kosova dhe një nga Shqipëria.

Gjysmëfinalja e parë e cila pritet të jetë shumë e “zjarrtë” do të luhet mes Rahovecit dhe Pejës, me fillim nga ora 16:00.

Rahoveci u kualifikua në gjysmëfinale pa lojë të zhvilluar, pasi Teuta u tërhoq nga gara, ndërsa Peja e mposhti Vllazninë e Shkodrës.

Të dy skuadrat duan depërtimin në finale dhe të fitojnë trofeun e çmuar që është historik, pasi është hera e parë që zhvillohet një ligë mes Kosovës e Shqipërisë në sportet kolektive.

Këto dy skuadra janë ballafaquar katër herë këtë edicion në elitën e basketbollit të Kosovës dhe të dyat kanë nga dy fitore, andaj pritet një ndeshje interesante në Durrës.

Peja e udhëhequr nga kapiteni Dardan Berisha dhe qendra e Kosovës, Lis Shoshi duan trofen e çmuar, kurse edhe qendra Brandon Walters pritet të japë ndihmë të madhe.

Ndërkohë, Rahoveci mbështetet te lojtarët vendorë Alban Veseli, Arian Qallaku e Altin Morina, kurse nga të huajt i rikthyeri Darrell Davis po shkëlqen sërish.

Verdhezinjtë kanë fituar 12 trofe në Kosovë, kurse për Vreshtarët do të ishte trofeu i parë në histori të klubit.

Gjysmëfinalja tjetër e cila po ashtu pritet të jetë shumë interesante, do të zhvillohet mes klubit Goga Basket dhe Golden Eagle Ylli, më fillim nga ora 19:00.

Goga është skuadra e vetme nga Shqipëria e mbetur në garë, ku në çerekfinale eliminoi Tiranën, ndërsa Golden Eagle Ylli mposhti Sigal Prishtinën.

Durrsakët janë lider në Kampionatin Shqiptar me nëntë fitore në po aq ndeshje, kurse Ylli përfundoi në vendin e tretë në sezonin e rregullt të elitës së basketbollit të Kosovës.

Ylli që ka bërë shumë investime e dëshiron trofeun e parë të Ligës Unike, që njëkohësisht do të ishte trofeu i parë në histori të klubit, ndërsa edhe Goga synon që ta fitojë këtë trofe të çmuar.

Ish-basketbollisti i Yllit, Griffin Ramme është një lojtarët më të dalluar në skuadrën durrsake, ashtu si edhe Frenki Lilaj që po ashtu ka luajtur në Therandë.

Kurse Golden Eagle ka në ekip katër lojtarë të Kosovës, Erjon Kastratin, Gëzim Morinën, Valon Bunjakun dhe Samir Zekiqin.

Goga Basket ka fituar një herë titullin dhe Kupën në Shqipëri, kurse Golden Eagle Ylli ende është pa trofe në Kosovë.

Takimet do të zhvillohen pa praninë e tifozëve, për shkak të masave anti-Covid, edhe pse për të ndjekur këto ndeshje nga afër, kishte interesim të madh.

Ndërsa Finalja dhe ndeshja për vendin e tretë pritet të zhvillohen më 14 prill, në po të njejtën palestër.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore