Kosova

Të martën në Spanjë diskutohet propozimi i partisë katalanase për njohjen e Kosovës


Ilustrim

Partia katalanase “Junts per Catalunya”, e cila javë më parë propozoi që Qeveria e Spanjës ta njoh Kosovën si shtet sovran, ka njoftuar se javën tjetër propozimi i tyre do të diskutohet nga ligjvënësit spanjollë në Kuvendin e Spanjës.

Nisma e cila pritet të debatohet më 25 qershor kërkon që shteti spanjoll ta njohë pavarësinë e Kosovës, me argumentin se Kosova “përdori të drejtën e saj legjitime për vetëvendosje”.

“Është e papranueshme që shteti spanjoll ndan të njëjtën strategji si Rusia, Kina apo Bjellorusia për refuzimin e njohjes së Kosovës”, thuhej në letrën që kjo parti i kishte dërguar Kuvendit të Spanjës, të cilën e kishte siguruar Albanian Post.

Spanja, sipas tyre ka marrëdhënie indirekte me Kosovën, meqë ka pranuar pasaportat e shtetit të Kosovës pas liberalizimit të vizave nga Bashkimi Evropian.

“Nga janari i vitit 2024, shteti spanjoll është i detyruar të njohë pasaportat e Kosovës. Bashkimi Evropian ka nënshkruar Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit me Kosovën që përfshin marrëdhënie të të gjitha llojeve me shtetet anëtare, duke u përkushtuar, ndër të tjera, për zhvillimin e marrëdhënieve politike dhe ekonomike ndërmjet BE-së dhe Kosovës”.

Në vlerësimin e kësaj partia pesë shtetet anëtare mos-njohëse të BE-ës duhet ta njohin Kosovën që ta lejojnë atë të përparojë në rrugën evropiane pa vonesa të mëtejshme.

“Për këtë arsye, por edhe në mbështetje të përpjekjeve që po bëhen nga institucionet dhe populli i Kosovës për të mbrojtur të drejtën e tyre për të ekzistuar si shtet i pavarur, shteti spanjoll duhet të heqë dorë nga refuzimi i tij dhe të njohë menjëherë Republikën e Kosovës”.

Partia katalanase propozon që Qeveria e Spanjës ta njoh Kosovën si shtet sovran

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore