Shqipëria

Të larguarit mes të përçarëve


Partia Demokratike, e udhëhequr nga drejtuesi i saj i komanduar, Enkelejd Alibeaj, u përball këtë javë me tri lajme – dy fort të mira dhe një tepër i keq.

I dërguari i Posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në vizitën e tij theksoi se Amerika mbetet e palëkundur në qëndrimin e saj mbështetës ndaj PD-së zyrtare.

Escobar pati një frymë pozitive ndaj grupit që ka mbajtur qëndrime pro euroatlantike dhe pro perëndimore.

Kjo u konfirmua edhe nga lënia jashtë agjende të të shpallurit non grata Sali Berisha, i cili ende pretendon pronësinë e PD-së, duke vijuar mbledhjet si “lider” në selinë blu.

Jo vetëm kaq, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e renditi PD-në e Alibeajt të dytën, kur bëhet fjala për marrjen e fondeve për zhvillimin e fushatës për zgjedhjet lokale të 14 majit.

Plot 106 milionë e 661 mijë lekë – afërsisht 1 milion dollarë – u caktua nga Komisioneri Shtetëror, Ilirjan Celibashi për demokratët.

E teksa njohjet perëndimore vijojnë të jenë të qëndrueshme, fondet vijojnë të jenë në raport të njëjtë me Partinë Socialiste siç ishin në zgjedhjet e fundit parlamentare të 25 prillit, një situatë tjetër paraqitet në fushën e betejës.

PD-ja e Alibeajt po braktiset nga vetë kandidatët e miratuar nga Grupi i tij Parlamentar.

Të fundit që iu bashkuan listës së të tërhequrve ishin kandidatët për kryetar bashkie në Mirditë, Mark Ruçi, dhe në Gjirokastër, Shemsho Lamaj.

Me ikjen e tyre, numri i kandidatëve që kanë hequr dorë nga gara ka shkuar në tetë.

Në dukje një numër i vogël, por krahasuar me shifrën që Alibeaj ka sjellë në tryezën e KQZ-së është domethënës.

Tanimë Alibeajt i mbeten vetëm 13 bashki ku do të kandidojë: Dimal, Kuçovë, Dibër, Fier, Mallakastër, Patos, Këlcyrë, Tepelenë, Pukë, Vau-Dejës, Kamëz, Tiranë, Finiq dhe Sarandë.

Dhe sikur kjo të mos mjaftojë, selia blu do të ketë vetëm në 54 bashki emra për Këshillë Bashkiakë, e jo në 61.

Në mesin e analistëve situata e lartpërmendur është parë si dështim “kolosal”.

Për analistin Aleksandër Çipa, PD-ja zyrtare nuk ka ruajtur kapacitetin e saj dhe ka qenë e papërgatitur për t’u futur në zgjedhjet e 14 majit.

Por jo vetëm, tërheqja sipas Çipës ka ardhur edhe si pasojë e presionit të bërë nga fraksioni i Berishës.

Ndërkohë, analisti Mentor Kikia, e lidh me bazën e demokratëve, e cila po përpiqet të rregullojë atë që nuk e bënë liderët në Tiranë.

“Kjo tërheqje ka ndodhur për dy arsye, se siguria që nuk do fitonte ishte absolutisht e madhe dhe kandidatët e propozuar nga grupi Alibeaj kanë refuzuar të marrin përsipër të jenë ata shkaktarët e humbjes. Të mos shikoheshin si delja e zezë”.

Të dy analistët janë dakord në një gjë, presioni buron nga shumica reale e Partisë Demokratike, e cila është e përfaqësuar nga grupimi i Sali Berishës.

Vetë kandidatët e tërhequr janë përpjekur të japin një mesazh: nuk duam të jemi faktor për humbjen e demokratëve.

Por dy “liderët” e selisë blu nuk kanë ndërmend të “bashkohen” për hir të fitores ndaj kandidatëve socialistë të cilët janë më pak të shqetësuarit dhe “të lumturit” në këtë mes.

Jo vetëm kaq, Berisha dhe Alibeaj vijojnë të jenë në ndjekje të qëllimeve të tyre, më të rëndësishme se zgjedhjet lokale.

Njëri drejt përçarjes totale dhe tjetri drejt mbështetjes së perëndimoreve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore