Kosova

Të hënën protestë në Veri, Lista Serbe – por edhe opozita serbe – thërrasin pjesëmarrje masive


Veriu i Kosoves

Serbët në Veri të Kosovës kanë thirrur protestë për të hënën që të kundërshtohet vendimi i Bankës Qendrore të Kosovës për ndalimin e dinarit për pagesa, derisa Lista Serbe u ka kërkuar që të marrin pjesë masivish.

“Lista Serbe mbështet njoftimin për protestë paqësore të qytetarëve të Mitrovicës e thirrur nga Asociacioni i Bashkuar i Pensionistëve, dhe në të njëjtën kohë i fitojmë të gjithë qytetarët e Kosovës që të hënën me 12 shkurt në orën 12:00 të marrin pjesë në këtë protestë demokratike të qytetarëve kundër vendimit të regjimit të Prishtinës për të ndaluar dinarin dhe pagesat”, thuhet në njoftimin e Listës Serbe.

Ata shkruajnë se përveç protestë kundër këtij vendimi, do të dalin për të kundërshtuar edhe “vendimet e njëanshme kundrejt interesit të popullit serb, nga arrestimi i qytetarëve tonë të pafajshëm, militarizimi i Veriut, deri te invazioni brutal i forcave speciale të Kosovës në institucionet serbe”.

Lista Serbe u ka bërë thirrje qytetarëve që të përgjigjen pozitivisht, sepse thonë ata është shumë e rëndësishme t’i tregohet Qeverisë së Kosovës se sa shumë janë kundër vendimeve të fundit.

“Është e një rëndësie tejet të madhe t’i tregojmë Prishtinës me prezencën tonë të madhe se ne e kundërshtojmë këtë vendim anti-serb dhe se duam të qëndrojmë në paqe dhe të jetojmë në shtëpinë tonë qindra-shekullore”, thuhet në fund të njoftimit.

Edhe opozitarët e Listës Serbe, grupi “Demokracia Serbe”, po ashtu kërkuan nga qytetarët që të ketë mbështetje masive të protestës.

“Ftojmë të gjithë që në mënyrë të qartë dhe të zëshme të shprehemi përmes protestës si komunitet kundër vendimeve të motivuara etnikisht të institucioneve të Kosovës – që merren me qëllime kundër nesh dhe të ardhmes tonë”, thuhet në njoftimin e shpërndarë në Facebook.

“Kjo nuk është mbështetje politike, por qytetar, sepse para se gjitha duhet të jetë protestë nacionale, pavarësisht çështjeve politike apo besimeve tona”, vazhdon komunikata.

“Nuk ka njeri në mesin tonë që nuk e ndjen pasojën katastrofike të presionit ekonomik të Qeverisë së Kosovës mbi qytetarët”.

Ata në fund ftojnë Listën Serbe që të mos e përdor protestën politikisht, sepse kjo nuk është çështje e partive.

“Kjo duhet të jetë protestë kombëtare, jo e partive, duhet t’i adresohet botës, për të ndaluar çmendurinë dhe dhunën kundër nesh”, përfundon komunikata e këtij grupi politik në Veri.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore