Gjykata Speciale

Të hënën deklaratat përmbyllëse në rastin e Pjetër Shalës – seancat do të jenë të hapura


Pjetër Shala.

Deklarata përmbyllëse në rastin e Pjetër Shalës, do të nisin të hënën e javës së ardhshme.

Lajmin për Albanian Post e ka bërë të ditur zëdhënësi i Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), Christopher Bennett.

“Deklarata përmbyllëse e ZPS-së në gjyqin e Pjeter Shalës do të jetë kryesisht publike me shumë për të raportuar. Mund të zgjasë gjithë të hënën dhe një pjesë të së martës”, ka thënë Bennett.

Nga mbrojtja e Shalës, deklaratat përmbyllëse do të dëgjohen më 16 dhe 17 prill.

Ndërsa për komentet, pyetjet, parashtrimet seanca ndaj Shalës është planifikuar të dëgjohet më 17 dhe 18 prill.

Dita e fundit do të mbyllet me dëgjimin e deklaratës përmbyllëse nga i akuzuari Pjetër Shala, por që seanca e planifikuar për 19 prill s’do të mbahet.

Shala ishte arrestuar më 16 mars të vitit 2021 nga autoritete belge. Ndërsa transferimi i tij në Dhomat e Specializuara të Kosovës u bë më 15 prill 2021.

Shala sipas aktakuzës ngarkohet me përgjegjësi penale individuale me forma të ndryshme për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme.

“Krimet për të cilat akuzohet z. Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhej në aktakuzë.

Por, Shala në nisje të gjykimit ndaj tij pati thënë në se akuzat ndaj tij janë “të fabrikuara”.

“Nuk pranoj asgjë, të gjitha janë të fabrikuara”, theksoi Shala.

Gjykata Speciale tashmë e ka shqiptuar dënimin e parë për krime lufte në dhjetor të 2022-ës.

Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, është dënuar më 26 vjet burgim për vrasje të paligjshme, ndalim arbitrar dhe torturë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore