Lajme

Të gjithë terroristët e dyshuar për sulmin në Banjë në sistemin e INTERPOL-it


Sulmi në Banjë.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se INTERPOL-i ka lëshuar urdhërarrest ndërkombëtar për të gjithë terroristët e Banjës në sulmin e 24 shtatorit, ku mbeti i vrarë rreshtari tashmë i shpallur hero Afrim Bunjaku.

Lajmin e ka bërë të ditur Sveçla, përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’.

“Mirëpres njoftimin zyrtar nga selia qendrore e INTERPOL se tashmë janë insertuar në sistemin e urdhër arrestit ndërkombëtar të gjithë personat e dyshuar që realizuan sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit”.

Ai e ka konsideruar këtë si “hap të rëndësishëm”.

“Si i tillë ka efektin e plotë atëherë kur Serbia e cila është duke strehuar dhe akomoduar këta terroristë, i dorëzon tek autoritetet tona për t’u përgjigjur para drejtësisë”.

Ndërsa, ka kërkuar sërish përgjegjësi për sulmin që kishte ndodhur në Banjë në mënyrë që rastet e tilla të mos përsëritën më.

“Llogaridhënia për organizimin dhe realizimin e sulmit terrorist të 24 shtatorit ku mbeti i vrarë Rreshter Afrim Bunjaku është e domosdoshme. Ndëshkimi për urdhërdhënësit, organizatorët dhe ekzekutuesit e këtij sulmi duhet të ndodhë sa më parë, si garancë e mos përsëritjes së akteve të ngjajshme terroriste”.

Një grup i armatosur më  24 shtator, kishte sulmuar Policinë e Kosovës në Banjë të Zveçanit, duke lënë të vrarë rreshterin, tanimë heroin Afrim Bunjaku.

Nga shkëmbimet me armë zjarri, Policia e Kosovës kishte asgjësuar katër terroristë, teksa gjashtë të tjerë i arrestoi.

Autoritetet e Kosovës kishin akuzuar drejtpërdrejtë Serbinë se qëndron prapa këtij sulmi terrorist, teksa kryekrimineli Milan Radojiçiç – njeri i besuar i presidentit serb Aleksandër Vuçiç – ka marrë përgjegjësinë për këtë sulm.

Radojiçiç, ishte arrestuar nga autoritetet serbe, mirëpo i njëjti një ditë më pas është liruar nga paraburgimi.

Lidhur me sulmet terroriste, organet e rendit kanë sekuestruar arsenal armësh në Zveçan, të cilat u publikuan nga Policia pas sulmit, vlera e të cilave kapte shifrën 5 milion euro.

Vendet perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian e kanë dënuar këtë sulm, derisa kanë kërkuar që përgjegjësit të sillen para drejtësisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore