Shqipëria

Të gjithë bashkë sot kundër agresionit rus, ose nesër të vetëm nën agresion – Rama flet zëlartë në KS, kërkon që Rusia të mbahet përgjegjëse për luftën


Shqipëria mund të jetë një vend i vogël dhe pa ndikim në terren në Luftën në Ukrainë, por fjala e saj u dëgjua sot zëlartë në mbledhjen e jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurimit, kur kryeministri Edi Rama, i kërkoi të gjithëve të mbajnë përgjegjëse Rusinë për çfarë po ndodh në Ukrainë.

Një luftë kjo, e cila jo vetëm që nuk është thjesht e Ukrainës sipas tij, jo vetëm që nuk është thjesht e Evropës, por është e një kërcënimi botëror.

Vetë prania e personaliteteve të larta të politikës botërore në këtë mbledhje, e reflekton qartë se sa rëndësi mbledhja e thirrur nga Shqipëria ka.

Kjo, pasi është e prapranueshme sipas kryeministrit, që në shekullin e XXI-të, kontinenti të vihet në rrezik nga një anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit.

Një tragjedi, e cila është bërë nga vetëm një njeri, i cili po kërcënon me uri dhe skamje miliona njerëz në gjithë botën.

Ky nuk ka si të jetë problem vetëm i Evropës, sipas Ramës.

Duke risjellë në vëmendje fjalën e pastorit Martin Niemoller, Rama e shpjegoi në mënyrë të përkyrer gjithë çfarë po ndodh sot.

“Së pari erdhën të merrnin Gjeorgjinë dhe nuk bëra zë, më pas erdhën për Krimenë, nuk ishte vendi im, kështu që nuk fola. Më pas erdhën për të gjithë Ukrainën por nuk isha ukrainas e kësisoj nuk thashë asnjë fjalë , pastaj erdhën për të më marrë mua por askush nuk kishte mbetur për të më ndihmuar e për të më mbrojtur”.

Reflektim i qartë i asaj çfarë sot po ndodh me luftën në Ukrainë.

Një fjalë për pavarësinë e Kosovës, nuk mungoi nga ana e kryeministrit shqiptar.

“Rusia dhe të tjerë janë përpjekur ta keqpërdorin realitetin e ndryshuar të Ballkanit Perëndimor e sidomos lindjen e Republikës së Kosovës për të justifikuar ëndrrat e tyre neo-imperialiste apo makthet e tyre që kanë eksportuar”, theksoi fillimisht kreu i Qeverisë.

“Pavarësisht sa përpiqeni Kosova, pavarësia e së cilës është sanksionuar nga Gjykata Ndërkombëtare Penale, kreu 14 i kësaj Karte të OKB-së”, vijoi Rama duke shtuar se “Gjykata Ndërkombëtare Penale nuk mund të shërbejë si pretekst për rrëmbim territoresh apo aneksim të paligjshëm”.

Sipas tij, nëse paqja që zgjat në rajonin tonë sot është e prekshme, kjo ka për së pari të bëjë me mësimet e nxjerra për të tejkaluar të shkuarën dhe për të mësuar një të ardhme së bashku përmes bashkëpunimit.

Në mbyllje, sërish, kryeministri e ka bërë të qartë, se sot është dita për të mbështetur Ukrainën dhe nuk ka rrugë tjetër. Të gjithë, duhet të jenë së bashku në këtë përpjekje.

Zelensky falënderon Edi Ramën për mbështetjen e Ukrainës në Këshillin e Sigurimit

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore