Shqipëria

Të ardhurat në Shqipëri u rritën me 21% në 2021-shin, ekonomia në rimëkëmbje e sipër


Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, ka kryer një bilanc të vitit 2021 për sa u përket shifrave buxhetore në vend, ku bie në sy rritja e të ardhurave me 21% në krahasim me vitin 2020 dhe një rimëkëmbje ekonomike, mbi të gjitha në sektorin e punësimit.

Sipas Ibrahimajt, trendi nuk shfaqet qartësisht nëse krahasimi bëhet me vitin 2020, pasi ai ka qenë vit pandemik. Por, nëse krahasimi bëhet me vitin 2019, ka sërish një rritje prej 11% të të ardhurave.

Faktori kryesor mendohet se është ai i fiskalizimit. Ky proces gjendet në fazat e fundit të implementimit të tij. Efektin kryesor e ka dhënë në bizneset e mëdha.

Në shifra tërësore, të ardhurat janë mbyllur paraprakisht me 506 miliardë lekë. Ndërsa parashikimi për vitin e ardhshëm, pritet t’i çojë ato deri në 30% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB).

“Ekonomia është rigjallëruar dhe punësimi ka shkuar në nivelin e vitit 2019”, ka thënë Ibrahimaj. “PBB-ja për frymë ka shkuar në 661 mijë lekë për banor”.

Ndërsa, një ambicie tjetër është edhe ulja e borxhit publik dhe deficitit.

Gjatë 2021-shit, pritet një ulje e borxhit në 78.8%. Sa i përket deficitit buxhetor, ai pritet të shkojë në 5.4%.

Zë ka marrë edhe rritja ekonomike në periudhën 2022, si një vit i fundit i pandemisë. Për Ibrahimajn, rritja nuk do të jetë në nivelet e vitit 2021, pasi u ndikua nga rihapja pas mbylljes për shkak të COVID-19.

Por, gjithsesi, një rritje e dukshme ekonomike pritet për Shqipërinë.

Në bazë të një plani ndërkohë, ka pasur edhe rritje të pagave për 30% të administratës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore