Dy kandidatët për të marrë drejtimin e Bashkisë Himarë, Vangjel Tavo nga ana e mazhorancës (nën siglën e Partisë Socialiste) dhe Petraq Gjikuria nga ana e opozitës (nën siglën e Bashkë Fitojmë) kanë votuar pranë qendrave përkatëse.
Në një prononcim për mediat pas votimit, Tavo tha se “sot e kanë fjalën himariotët për të votuar. Procesi deri tani ka qenë i qetë. Uroj të vazhdoj kështu deri në moment të fundit të votimit qetësia, ashtu sikurse ka mbizotëruar gjatë fushatës elektorale’.
Tavo i bëri thirrje banorëve të bashkisë së Himarës të votojnë.
“I bëj thirrje të gjithë banorëve të Himarës të dalin masivisht në votime, të votojnë projektin më të mirë, alternativën më të mirë për Himarën dhe për himariotët kudo që ndodhen”, tha Tavo.
I pyetur lidhur me lidhur situatën në një qendër votimi në Himarë fshat ku disa qytetarë me ID të skaduara nuk u lejuan të votojnë, Tavo tha se “nuk është çështja ime, është e organeve, KZAZ, KZAZV, KQZ , është çështje e ligjit dhe mbi ligjin nuk mund të dalë njeri”.
Ndërsa, Gjikuria iu përgjigj interesit të medieve lidhur me mos lejimin e disa qytetarëve për të votuar me ID të skaduara.
“Vitin e kaluar u lejuan me karta të skaduara, kurse këtë herë nuk u lanë të votonin. Ky është një problem se edhe trajtimi i qytetarëve ishte i diferencuar. Socialistëve u jepnin karta brenda 24 orëve kurse të anës tjetër u thoshin për dy javë”, u shpreh ai.
Po pavarësisht kësaj, Gjikura thekson se kjo nuk do të ndikojë në rezultatin e zgjedhjeve.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com