Lajme

Targat u bën temë për konflikt vetëm për ta arsyetuar Asociacionin, thotë Molliqaj  


Dardan Molliqaj

Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, ndërsa ka komentuar pranimin e targave të shtetit të Kosovës nga ana e Serbisë, ka theksuar se Qeveria e Kosovës me rezistenca të vogla në terren duke e kthyer çështjen e targave në kauza të mëdha ka tentuar ta arsyetojë formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe

“Ngriti temën e targave deri në konflikt, që kur Serbia e fillon pranimin e zbatimit të marrëveshjeve të vjetra, të duken si fitore. Pra një shtet i tanë në shërbim të pozicioneve më të mira të kryeministrit, prej të cilave do ta realizojë Asociacionin. Tension për Asociacion pra”.

Më 25 dhjetor, i ashtuquajtur shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviç, kumtoi lajmin se nga 1 janari i vitit 2024, veturave me targa RKS do t’iu mundësohet lëvizja e lirë në territorin e Serbisë.

Megjithatë, ai nuk specifikoi nëse targat e veturave do të mbulohen me letra ngjitëse kur të kalojnë kufirin, praktikë që aktualisht zbatohet.

Për çështjen e lëvizjes së Lirë, Kosova dhe Serbia kishin arritur marrëveshje më 2011, në kuadër të dialogut.

Para praktikës së letrave ngjitëse, automjetet me targa RKS detyroheshin të merrnin targa provuese në kufirin me Serbinë, që vlenin 60 ditë dhe kushtonin 5 euro.

Por, më 20 shtator të vitit 2021, Qeveria e Kosovës vendosi masën e reciprocitetit, që detyroi edhe shoferët nga Serbia ta kalonin të njëjtën procedurë për të hyrë në Kosovë.

Kjo masë nxiti pakënaqësi në mesin e serbëve në Kosovë, të cilët bllokuan rrugët që çonin në pikëkalimet kufitare me Serbinë, në Jarinjë dhe Bërnjak.

Për të ulur tensionet, me ndërmjetësimin e BE-së, më 30 shtator 2021, u arrit marrëveshja e përkohshme për targat.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore