Kosova

Taravari takon Vitinë, flasin për afrimin edhe më të madh mes Kosovës dhe RMV-së


Arben Taravari, Arben Vitia, Arben Fetai dhe Bekim Qoku.

Arben Taravari, Ministër i Shëndetësisë në Maqedoni të Veriut, ka qëndruar të mërkurën në vizitë zyrtare në Kosovë, ku është takuar me homologun e tij, Arben Vitia, me të cilin kanë diskutuar rreth sfidave në sistemet shëndetësore.

Lajmi u bë i ditur nga Taravari, përmes një postimi në Facebook, i cili ka njoftuar se në këtë vizitë ka qenë i shoqëruar nga Zëvendëskryeministri për Qeverisje të Mirë dhe Transparencë, Arben Fetai, dhe deputeti i “VLEN”-it, Bekim Qoku, njëherit përfaqësues i Lëvizjes Vetëvendosje në RMV.

Kjo është vizitë e parë e Taravarit jashtë vendit që kur është zgjedhur në këtë pozitë, të dielën e 23 qershorit.

“Me Arbenin, zhvilluam bashkëbisedim vëllazëror rreth sfidave brenda sistemeve tona shëndetësore dhe prioriteteve tona respektive për periudhën në vijim”, shkroi Taravari.

Ai potencoi se me Vitën janë pajtuar për përshpejtim dhe thellim të bashkëpunimit midis dy qeverive respektive, si në shëndetësi, ashtu edhe në arsim e në politika të qeverisjes së mirë, dhe në çdo sektor tjetër relevant “për afrimin edhe më të madh midis dy vendeve tona dhe forcimin e lidhjeve ndërmjet popujve tonë”.

Ndryshe, Arbem Taravari, është njëri nga liderët e koalicionit “VLEN”, i cili është bërë pjesë e qeverisë së re maqedonase, të udhëhequr nga lideri nacionalist i VMRO-DPMNE-së, Hristjan Mickoski.

Për të marr drejtimin e dikasterit të Shëndetësisë, Taravari paraprakisht ka dhënë dorëheqje nga pozita e Kryetarit të Komunës së Gostivarit – e banuar me shumicë shqiptare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore