Lajme

Talebanët: Shkurtimi i mjekrës, e kundërligjshme


“Kushdo që shkel rregullin, do të ndëshkohet”.

Ky është njoftimi i radhës nga policia e talebanëve për berberët në Kabul.

Në një njoftim të postuar në sallonet e berberëve në Helmandit, oficerët talebanë paralajmëruan se berberët duhet të ndjekin ligjin e Sheriatit për prerjen e flokëve dhe mjekrën.

“Askush nuk ka të drejtë të ankohet”, thuhej në njoftim.

“Luftëtarët na ndalojnë shkurtimin e mjekrave”, tha një berber në Kabul.

Një nga berberët në qytet tha se mori një telefonatë nga dikush, për të cilin pretendohet se ishte qeveritar, duke urdhëruar që të mos ndiqte modelet e amerikanëve.

“Për shumë vite në sallonin tim njerëzit kishin të drejtë t’i stilonin flokët dhe mjekrën sipas dëshirave. Tashmë nuk ka kuptim të vazhdosh këtë biznes”, tha ai për BBC.

Që nga marrja e pushtetit muajin e kaluar, talebanët kanë dënuar ashpër kundërshtarët.

Luftëtarët e grupit vranë katër rrëmbyes të dyshuar dhe trupat e tyre u varën në rrugët e qytetit perëndimor të Heratit.

Çfarë ndodhi në Afganistan?

Të dielën e 15 gushtit, talebanët mësyn në Presidencën e AfganistanitKështu ata morën kontrollin e kryeqytetit, Kabul.

Presidenti i vendit, Ashraf Ghani, u largua nga Kabuli, duke lënë popullin në duart e talebanëve.

Sipas tij, largimi erdhi “për të shpëtuar kryeqytetin dhe qytetarët e tij nga gjakderdhja”.

Presidenti afgan ka theksuar se talebanët po përballen me një provë të re historike, ku ose do të mbrojnë emrin dhe nderin e Afganistanit ose do t’u japin përparësi vendeve dhe rrjeteve të tjera.

Ndërkohë përfaqësia talebane ka bërë thirrje për të lënë të qetë qytetarët në pronat e tyre.

“Emirati Islamik ka urdhëruar muxhahedinët e tij për të mos cenuar shtëpinë e askujt pa leje. Jeta, prona dhe nderi i askujt nuk duhet të dëmtohet. Ato duhet të mbrohen”.

Kështu shkruhej në llogarinë në Twitter të Suhail Shaheen, një prej zëdhënësve talebanë.

Sipas raportimeve mediatike nga Afganistani, policia e ka lënë detyrën dhe qytetarët janë të pambrojtur. Nga ana tjetër, vendet perëndimore janë përpjekur të evakuojnë qytetarët e tyre.

Disa zona të kryeqytetit janë evakuuar tërësisht, ndërsa mesazhi i parë i talebanëve nga Presidenca, ka qenë ai i një qetësimi të masës dhe sigurim se shtetasit e huaj, nuk do të lëndohen.

Autoritetet në SHBA kanë filluar zyrtarisht tërheqjen e trupave nga Afganistani më 1 maj 2021, duke përcaktuar kështu fundin e “luftës”, siç e quajti presidenti amerikan Joe Biden.

SHBA dhe NATO kanë qëndruar në Afganistan për gati 20 vjet.

Kush janë talebanët?

Talebanët, ose “studentët” në gjuhën Pashto, u shfaqën në fillim të viteve 1990 në Pakistanin verior pas tërheqjes së trupave sovjetike nga Afganistani.

Në shtator 1995 ata pushtuan krahinën e Herat-it, në kufi me Iranin, dhe saktësisht një vit më vonë ata kapën kryeqytetin afgan, Kabul – duke përmbysur regjimin e presidentit, Burhanuddin Rabbani.

Deri në vitin 1998, talebanët kishin nën kontroll gati 90% të Afganistanit. Ndërsa forcat e huaja të udhëhequra nga SHBA-të filluan tërheqjen nga Afganistani pas 20 vitesh lufte, talebanët nisën të merrnin nën kontroll vendin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore