Kosova

“Taksat përfundonin në xhepat e pushtetarëve”: Kurti akuzon qeveritë e kaluara, harron raportet për “korrupsion serioz qeveritar” gjatë qeverisjes së tij


Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë një fjalimi para bashkatdhetarëve në Prishtinë të hënën, ka adresuar kritika ndaj qeverive të kaluara, duke i cilësuar si “të korruptuara” edhe pse raportet ndërkombëtare ekspozuan “korrupsionin serioz qeveritar” edhe gjatë qeverisjes së tij.

“Gjendja ka qenë e rëndë, dikur edhe vera ka qenë dimër. Korrupsioni pat pllakosur qeverisjet e mëhershme, buxheti i shtetit zhvatej nga klikat e partive në koalicionin qeverisës. Taksat që derdheshin te thesari i shtetit nga djersa e qytetarëve, përfundonin në xhepat e pushtetarëve”, tha Kurti.

Teksa është lavdëruar para mërgatës për qeverisjen e tij, Kurti theksoi se “punët e mira” po vazhdojnë edhe në vitin e katërt të këtij mandati.

“Asnjë shtet në botë e rajon nuk e ka një mërgatë si Kosova. Një mërgatë kaq shumë të lidhur me vendlindjen e me vullnet për të kontribuuar në ndërtimin dhe prosperimin e tij”, shtoi.

Por, sipas raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit të publikuar me 22 prill, aktualisht në Kosovë ka “korrupsion serioz qeveritar”.

Gjithashtu, raporti i organizatës prestigjioze “Freedom House” potencoi se korrupsioni në Kosovë vazhdon të mbetet “çështje serioze” dhe “shumë shqetësuese”.

Përderisa raporti i DASH-it ’23 përmendi korrupsionin qeveritar, organizata “Freedom House” vlerësoi se Kosova vazhdon të jetë pjesërisht e lirë dhe s’ka shënuar kurrfarë progresi, posaçërisht në çrrënjosjen e korrupsionit që qeveria aktuale e premtoi.

Po ashtu, më herët u raportua se Task-forca antikorrupsion në Policinë e Kosovës, aktualisht është duke hetuar së paku pesë ministra dhe një zëvendësministër të kësaj Qeverie.

Kurse, aktualisht nën hetime ose në procedura gjyqësore janë dy ministra të kësaj qeverisje.

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, është nën hetime akuza për mosdeklarim të pasurisë, ndërsa ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, u dënua me gjobë prej 700 eurosh nga Gjykata Themelore në Prishtinë për shkak të mosdeklarimit të pasurisë.

Hajdari, po ashtu është nën hetime për keqpërdorim të detyrës në lidhje me rezervat shtetërore.

Në gusht të 2023-së edhe zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi ishte dënuar me 500 euro gjobë pasi është shpallur fajtore se ka deklaruar me vonesë pasurinë.

Nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit kishin deklaruar se numri i zyrtarëve publikë, që s’e kanë respektuar obligimin e deklarimit të pasurisë, është rritur në vitin 2024 krahasuar me vitin 2021.

Përveç ministrave, edhe ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, i cili aktualisht është subjekt i hetimit të Prokurorisë së Kosovës për shmangie tatimi dhe shpëlarje të parave.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore